Monedhat virtuale arrijnë në Kosovë

E publikuar: 03/06/2017 10:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Monedha virtuale është shtrirë edhe në Kosovë, thonë ekspertë për çështje financiare. Kjo monedhë e quajtur ndryshe, Bitcoin, ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë.

Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale.

Flamur Keqa, ekspert për çështje financiare, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto monedha janë paraqitur edhe në tregun e Kosovës.

“Në tregun e Kosovës ka marrë përmasa paraqitja e saj dhe blerja nga ana e klientëve të ndryshëm. Dhe, realisht, këmbimi apo blerja me këtë, bëhet vetëm përmes marketeve dhe dyqaneve të ndryshme, ku këmbehet,por jo si valutë e prekshme. Shumë persona apo individë kanë filluar t’i blejnë këto valuta virtuale. Realisht, kjo është një lloji valute që nuk ka një burim të saktë dhe në vetvete përmban rreziqe, sa i përket qytetarëve dhe individëve të ndryshëm”, thotë Keqa.

Në anën tjetër, zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK), në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se në Kosovë nuk ka instrument ligjor që e rregullon përdorimin e parave virtuale.

“Si rrjedhoje e kësaj, nuk ka njohuri nëse ka ndonjë biznes të vendosur në Kosovë, i cili ofron mundësinë e blerjes dhe përdorimit të këtyre llojeve të parave virtuale”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Por, në një komunikatë për media, të enjten Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me përdorimin e mundshëm të parave virtuale në Republikën e Kosovës.

Në komunikatë thuhet se përdorimi i këtyre parave nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.

Të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale i njofton Banka Qendrore se nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura.

Por, Flamur Keqa, thotë përdorimi i valutave digjitale paraqitet si konkurrencë për valutat reale që i përdorim në jetën e përditshëm, rrjedhimisht është sfidë edhe për Bankat Qendrore.

“Kështu që, kjo paraqet një sfidë për rregullatorët, Bankat Qendrore në gjithë botën. Dhe, ata duhet të përqendrohen dhe fokusohen që të përcaktojnë rreziqet e saj dhe mundësisht të punojnë në drejtim që mos të ketë ndonjë pasojë për ata që hyjnë në treg me blerjen e këtyre valutave”, shpjegon Keqa.

Aktualisht, thuhet në komunikatën për media të Bankës Qendrore të Kosovës, është rritur mundësia e përdorimit të monedhave virtuale si mjete pagese për mallrat dhe shërbimet gjatë realizimit të shitjeve me pakicë, restorante dhe lokale argëtimi. Këto transaksione shpesh nuk shkaktojnë ndonjë tarifë ose ngarkesë, dhe nuk përfshijnë bankat./REL