Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se Vetëvendosje do të bëjë gjithçka që ta parandalojë themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në atë mënyrë që do të nënkuptonte ndarje apo “bosnjizim” të Kosovës.
Molliqaj nga veprimet që do të ndërmerrte opozita ka përjashtuar vetëm luftën, teksa ka folur në Interaktiv të KTV-së. Por ai ka thënë se masat do të ishin më radikalet që Vetëvendosje s;i ka bërë deri tani.
“Çka do që kemi mundësi do të bëjmë përpos luftës. Do të bojkotojmë Kuvendin, do të bllokojmë Kuvendin dhe institucionet tjera të Kosovës. Do të bllokojmë edhe pallatetet e politikanëve që janë pasuruar me para të popullit”, ka thënë Molliqaj, përcjell koha.net. “Për neve është një moment historik i cili është kthesë historike. Mund të jetë kthesë e mirë dhe e drejtë, nëse nuk bëhet, dhe mund të jetë degradim nëse bëhet”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj i quan përfitues të luftës Veselin e Grabovcin
Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka akuzuar rëndë kreun e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci.
Ai, në Ineraktiv të KTV-së, këtë dyshe të PDK-së e ka quajtur bandita, që nuk kanë luftuar por ia kanë parë hairin luftës.
Sipas Molliqajt, ata kanë vjedhur paratë e mërgimtarëve, teksa i ka quajtur edhe bashkëpunëtorë të Serbisë.