Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, ka thënë se për Kadri Veselin, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk ka vend në institucione të shtetit, por diku tjetër.
Mbetet të mësohet në çfarë ka aluduar ai, ndërsa në të njëjtin shkrim në llogarinë e tij në Facebook, ai flet për rrugëtimin e Veselit deri sot, sic e sheh Molliqaj, njofton Klan Kosova.
Thuhej se në kohën kur ishte nën hije, si udhëheqës i organizatës kriminale SHIK, Kadri Veseli ishte njeriu më i fuqishëm në PDK.
Si kryetar i PDK-së, filloi fushatë milionëshe duke e promovuar vetën si kryeministër i ardhshëm i Kosovës. Me të parë rritjen e Lëvizjes tonë, u frikësua dhe ia dorëzoi kandidaturën Haradinajt.
U bë gati për t’u zgjedhur kryetar i Kuvendit, por rritja jonë po ia pamundëson edhe këtë.
Nga frika se do të mbetet në opozitë, u dorëzua prapë. Tash deklaroi se do të tërhiqet edhe nga kandidatura për kryetar Kuvendi me kushtin që t’ia bëjmë një vend në qeveri.
Por ai duhet ta kuptoj një gjë: nuk ka vend për të në institucionet e shtetit tonë. Vetëm një vend e kemi të rezervuar për të. A thua ku?

















