Molliqaj për koalicionet: Përpjekje për ta ndalur ndryshimin në popull

E publikuar: 05/09/2017 21:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka treguar dy arsyet kryesore që sipas tij i ka Vetëvendosja për të mos e votuar asnjë kandidat të PDK-së për kryeparlamentar.

“E para, Vetëvendosja nuk mund ta votojë asnjë kandidat të PDK-së për kryeparlamentar, nuk kemi probleme personale as me PDK-në e as me individë por PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, nuk mund të këtë ndryshime duke qenë PDK-ja forcë që mbetet në Qeveri”.

“Kadri Veseli është i papranueshëm për strukturat e Vetëvendosjes derisa arsyeja e dytë është që logjika e PAN-it ka qenë që nuk shkojnë në zgjedhjen e kryeparlamentarit pa bërë marrëveshje për Qeverinë”.

Molliqaj që është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se populli ka votuar Vetëvendosjen duke kërkuar ndryshim, por që, një gjë e tillë nuk po e lënë partitë e tjera.

Sipas tij, ashtu si koalicioni PAN, dhe shkuarja e AKR-së me ta janë “lëvizje për ta shpëtuar veten“.

“Edhe koalicioni i mbrëmshëm, edhe ai i krimit, PAN, edhe ai me familjen Rugova, janë krejtësisht përpjekje konjekturale për me e ndal një ndryshim në popull dhe të krijojnë pushtet për vete”.