Molliqaj me disa pyetje për takimin me Blinkenin: Cilat garanci u kërkuan nga ShBA

E publikuar: 27/07/2022 14:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Molliqaj

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka komentuar takimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti me Sekretarin amerik të Shtetit, Antony Blinken.

Molliqaj ka parashtruar disa pyetje lidhur me këtë takim.

Ai ka pyetur se cilat ishin kërkesat dhe cilat garanci u kërkuan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

A u përdor Kosova si shkallë për raporte më të mira për veten e tyre? Cilat janë kërkesat, e cilat garanci u kërkuan në takim nga ShBA. E më kryesorja, në kuadër të cilës zgjidhje diskutuan? Ata nuk thanë asgjë të re. Pra jemi tek opsioni i vjetër, që nuk po vjetrohet”, ka shkruar Molliqaj.

Sipas Molliqajt, Amerika është tregur mjaftueshëm e hapur për zgjidhje finale, sipas nevojës së Kosovës, por jo edhe Kurti e Osmani.

“Ata mbeten të ngujuar në pozicione sovraniste dhe të vetëmjaftueshmërisë. Theksimi i njohjes, por asnjëherë lloji i kompromisit, tregon shumë për substancën.

Njohja do duhej të ishte efekti politik i një marrëveshjeje përfundimtare. Por jo. Kur pozicion dhe kriter kryesor e ke njohjen në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si projekt, atëherë dihet që do ta kesh AKS-në, pa njohje”, ka shkuar Molliqaj.

Postimi i tij i plotë:

Gëzim për vete miq

Dy mënyra përdorimi kanë pasur përherë takimet në Amerikë: për avancimin e Kosovës në nivel politik, ndërkombëtar, dhe për konsum ditor, luftë lokale për pushtet. Se cili është përcaktimi i pushtetarëve në krye të shtetit do të shihet më shpejt se që besohet.

Se takimi me sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken është tejet i rëndësishëm askush nuk e ka vënë në dyshim, deri me sot, më tepër se Kyreministri Kurti dhe Presidentja Osmani. Duke relativizuar dhe mohuar rëndësinë dhe kritikat kur ky takim nuk ndodhte. Ata e aktronin normalitetin. E minimizonin rëndësinë. Bënin retorikë. Tash që ndodhi takimi, shpërthyen nga gëzimi. Gëzim për vete miq.

Çka ndjehet nga ky takim është se u shkrinë disa raporte. Pra na paska qenë një problem aty. Por në kuadër të cilës qasje u pranua takimi? Test provues është marrëveshja me Serbinë dhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

A u përdor Kosova si shkallë për raporte më të mira për veten e tyre? Cilat janë kërkesat, e cilat garanci u kërkuan në takim nga ShBA. E më kryesorja, në kuadër të cilës zgjidhje diskutuan? Ata nuk thanë asgjë të re. Pra jemi tek opsioni i vjetër, që nuk po vjetrohet.

Një gjë duket qartë nga sot që ripërcaktimi i kufirit nuk është temë, as çështje e Qeverisë Kurti. Çdo gjë ndryshe nga kjo është përjetësim i konfliktit. Mbajtja e tensioneve gjallë me Serbinë i konvenon vetëm atyre që nuk kanë guxim a vërtetësi në politikë.

Amerika është tregur mjaftueshëm e hapur për zgjidhje finale, sipas nevojës së Kosovës. Kurti e Osmani jo. Ata mbeten të ngujuar në pozicione sovraniste dhe të vetëmjaftueshmërisë. Theksimi i njohjes, por asnjëherë lloji i kompromisit, tregon shumë për substancën.

Njohja do duhej të ishte efekti politik i një marrëveshjeje përfundimtare. Por jo. Kur pozicion dhe kriter kryesor e ke njohjen në kuadër të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si projekt, atëherë dihet që do ta kesh AKS-në, pa njohje.