Kërkesa më e re e Gjermanisë duket se ka reflektuar edhe në disponimin e kryeministrit serb, Aleksandar Vucic.
Ai është parë i mërzitur në darkën e punës në Bruksel të thirrur nga Mogherini, e ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri Mustafa me zëvendësin e tij, Hashim Thaçi.
Ndërmjetësuesja e darkës joformale, Mogherini ka thënë se ka marrë garanci nga të dyja palët për zbatimin e marrëveshjeve, sidomos atë të 25 gushtit për Asociacionin.
“Në kontekst të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Federica Mogherini e ka organizuar sonte një darkë me kryeministrat Aleksandar Vuciq dhe Isa Mustafa. Të dy kryeministrat kanë pasur një diskutim të hapur për situatën rreth dialogut, në veçanti sa i përket zbatimin të marrëveshjeve të 25 gushtit. Të dyja palët e përsëritën përkushtimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim.
Pas takimit është prononcuar ministri i jashtëm serb, Ivica Daciq i cili ka thënë se Beogradi do të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash me Prishtinën, por nuk do të shkojë asnjë hap përtej kësaj.
Ai ka refuzuar të komentojë kushtet e reja për Serbinë, që është pranimi indirekt i Kosovës, duke pohuar se kjo është në kompetencë të kryeministrit Vuciq.
Duke mos dhënë më shumë hollësi nga mbledhja, Daçiq u tha gazetarëve se aty është folur edhe për tema të tjera, siç është anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, por për këtë nuk është arritur asnjë marrëveshje.
“Bisedimet kanë qenë shumë të vështira dhe e vetmja gjë për të cilën ka pajtueshmëri është se duhet të implementohen të gjitha ato për të cilat ka marrëveshje.
E teksa Daçiq e delegacioni serb kanë komentuar darkën me të përfunduar, kryeministri Mustafa akoma nuk ka dhënë asnjë prononcim për takimin.