Kina publikoi librin e parë të bardhë mbi kontrollet e eksportit për të dhënë një pamje të plotë të politikave përkatëse dhe për të ndihmuar bashkësinë ndërkombëtare të kuptojë më mirë pozicionin e saj.
Dokumenti, i titulluar “Kontrollet e eksportit të Kinës” shtjellon pozicionin, institucionet dhe praktikat e Kinës në përmirësimin e administrimit të kontrollit të eksporteve, si dhe angazhimet dhe veprimet e saj për të mbrojtur paqen botërore dhe zhvillimin e sigurinë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Libri i bardhë përbëhet nga katër pjesë kryesore: pozicioni bazë i Kinës për kontrollin e eksporteve, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit ligjor dhe rregullator për kontrollin e eksporteve, modernizimi i sistemit të kontrollit të eksporteve dhe shkëmbimet e bashkëpunimi ndërkombëtar.
Sipas këtij dokumenti, kontrollet e eksportit janë praktikë standarde ndërkombëtare dhe përfshijnë masa ndaluese ose kufizuese për eksportin e artikujve me përdorim të dyfishtë, të tilla si produktet ushtarake, materialet bërthamore, mallrat, teknologjia e shërbimet që lidhen me mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe interesave kombëtare, dhe kufizime të tjera që kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimit të mospërhapjes bërthamore dhe detyrimeve të tjera ndërkombëtare.
Libri i bardhë thekson se masat e drejta, të arsyeshme dhe jodiskriminuese të kontrollit të eksporteve janë gjithnjë e më të rëndësishme në përballimin e rreziqeve dhe sfidave ndaj sigurisë ndërkombëtare e rajonale dhe në ruajtjen e paqes dhe zhvillimit botëror.
“Kina po ndjek një qasje holistike ndaj sigurisë kombëtare dhe po ndërmerr hapa më aktivë për t’u integruar në procesin e globalizimit ekonomik”, vihet në dukje në librin e bardhë. “Për të ndërtuar një ekonomi më të hapur dhe një Kinë më paqësore, do të bëhen përpjekje që të arrihet një ndërveprim i shëndetshëm midis zhvillimit me cilësi të lartë dhe garantimit të sigurisë, do të modernizohet regjimi i kontrollit të eksporteve dhe do të bëhet një përparim i mëtejshëm në qeverisjen e kontrollit të eksporteve.”
Sipas dokumentit, Kina do të kryejë veprime konkrete për të marrë pjesë në bashkërendimin ndërkombëtar të kontrolleve të eksportit, për të bërë përparim në proceset përkatëse ndërkombëtare dhe për të punuar së bashku me të gjitha vendet e tjera për të ndërtuar një bashkësi globale me të ardhme të përbashkët dhe për të nxitur paqen dhe zhvillimin botëror.
Pas katër vjetësh planifikimi, Kina miratoi Ligjin për Kontrollin e Eksportit në tetor të vitit të kaluar, me përcaktime të detajuara për listat dhe masat e kontrollit të eksportit. Sipas ligjit, përveç produkteve ushtarake dhe bërthamore, të dhënat dhe shërbimet përkatëse u nënshtrohen edhe kërkesave të kontrollit të eksportit. Ligji gjithashtu i lejon qeverisë të veprojë kundër vendeve që abuzojnë me kontrollet e eksporteve në një mënyrë që dëmton interesat e Kinës. Ligji ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor 2020.
Kina rithekson angazhimin e saj për zgjerimin e hapjes.
Duke theksuar se Kina nuk do ta ndryshojë vendosmërinë për të ndarë mundësitë e zhvillimit me pjesën tjetër të botës dhe angazhimin e saj ndaj globalizimit ekonomik, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë theksuan gjithashtu se do të nxitet tregtimi i mallrave eksporti i të cilave është i kontrolluar, të cilat përmbushin kërkesat.
“Kina beson se në kontrollin e eksporteve, bashkësia ndërkombëtare duhet të ecë në drejtimin e duhur, të arsyeshëm e jodiskriminues dhe kundërshton abuzimin e kontrollit të eksportit dhe kufizimet e paarsyeshme diskriminuese për të prishur tregtinë normale”, u shprehën zyrtarët