Një ditë më parë ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit grimerja e njohur shqiptare e Kosovës, Liberta Selaci. Lajmin e trishtë e dhanë familjarët e saj, të cilët shkruanin se bashkë me të ka ndërruar jetë edhe foshnja.
Lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe moderatori i njohur, Alaudin Hamiti, pasi e ndjera ishte kushërira e tij.
“Pastë dritë shpirti i saj. Vajza e dajës iku në amshim”, shkruan Hamiti në një postim në “Facebook”, duke postuar edhe foton e 28-vjeçares.
Ndërsa në një postim në “Instastory”, moderatori i njohur shkruan: “Faleminderit të gjithëve për ngushëllimet e juaja. Ditë e rëndë për familjen Selaci dhe për gjithë ne!”.
Para disa ditësh 28-vjeçarja kishte kërkuar trajtim në Spitalin e Pejës, por nga aty ishte transferuar menjëherë në QKUK, në Klinikën e Gjinekologjisë, në repartin për shtatzëna të infektuara me COVID-19.