Shkruan: Florim Zeqa
Pas dështimit të Qeverisë në votimin e projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës mbetët iniciativa për mbledhjen e 40 nënshkrimeve të deputetëve për thirrjen e një seance sipas procedurave ligjore, për votimin e Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë antikushtetuese, tashmë dhe antiligjore si rezultat i dështimit të fundit dhe mungesës së numrave në kuvend.
Një iniciativë e tillë duhet të filloj menjëherë, në mënyrë që të vihet në rendin e ditës së seancës së parë vjeshtore. Në të kundërtën vihen në lajthitje deklarimet dhe kërkesat e bllokut opozitar për mungesën e numrave të Qeverisë në kuvend.
Sipas rregullores së kuvendit, ligjeve në fuqi dhe kushtetutës së vendit, me votimin e Mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë në kuvend nga ana e deputetëve,…sipas procedurave dhe kompetencave ligjore, presidenti i shtetit, zoti Hashim Thaçi është i obliguar, që në afatin kohor brenda 3 ditësh të caktoj datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Duke i marrë parasysh rrethanat e krijuara politike dhe gjendjen e rënduar socio-ekonomike të vendit, vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme janë shpëtim për vendin, në të kundertën vendi mund të hyjë në një krizë akoma më të thellë politike si pasojë e ndikimit të fuqishëm të Listës “Serpska” ndaj kësaj qeverie të nënshtruar para Beogradit, Podgoricës, Shkupit,…dhe Brukselit zyrtar.
Largimi i kësaj qeverie kuislinge, përveqse imperativ kohor, është shpëtimi më i madh për vendin, ngase në ditët, javët dhe muajt në vazhdim deputetët e kuvendit, përveq ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, do të ballafaqohen edhe më keq me “Zajednicën”, produktin më fatal për vendin, të nënshkruar në Bruksel nga dy krerët shtetëror (Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa me 19 Prill 2013, respektivisht me 25 Gusht 2015).
Serbia përmes “Zajednicës” synon t’i vënë nën kontroll rreth 30 % të territorit të Kosovës dhe ushtrimin e plotë mbi institucionet shtetërore. Kur kësaj i shtohen 2500 hektar të dhënë Maqedonisë dhe mbi 8200 hektar Malit të Zi, atëherë kemi të bëjmë me tkurrje enorme të integritetit territorial të shtetit tonë.
Nga shifrat e sipërpermenduara shifet qartë se nuk janë në pyetje dhjetëra e as qindëra metra, por është në pyetje një territor tepër i gjatë dhe i gjerë për Kosovën e vogël. Humbja e një territori kaq të madh, përveqse e cenon në mënyrë të dukshme territorin e vendit tonë,…e ndryshon edhe në aspektin gjeografik, pra e ndryshon hartën,…bashk me këtë e ndryshon edhe pamjen vizuele të flamurit lara-lara të shtetit multietnik (laraman) të Kosovës.
Në këtë rast deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të zgjedhur me votën e lirë të popullit, për të shpëtuar humbjen e territorit dhe pengimin e cenimit të sovranitetit nga “Zajednica”, fillimisht duhet të ngrenë Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë kuislinge, për t’i hedhë më pas poshtë të gjitha marrëveshjet antishtetërore dhe antikombëtare të nënshkruara në Bruksel dhe Vjenë nga liderët e shantazhuar politik.
Nëse nuk ndodhë Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë nga ana e deputetëve, atëherë Gjykata Kushtetuese është e obliguar që të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit. Në rast se edhe Gjykata kushtetuese i dorëzohet shantazhit politik të liderëve të korruptuar shtetëror, atëherë çdo gjë mbetët në dorën e popullit, ngase Kosova e vogël s’ka territor të tepërt për t’i falur askujt.
Në të kundërtën, deputet shqiptar të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me mosndërmarrjen e veprimeve ligjore për largimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe jolegjitime, mund të shndrroheni në shkaktar të trazirave dhe gjakderdhjeve të shpejta në trojet dardane, ngase populli shqiptar nuk do të pranoj për asnjë çmim humbjen e tokave të veta, kthimin prapa të trashëgimisë stërgjyshore nën kthetrat e pushtuesve sllav.