MJEKU NGA FERIZAJ KËRKON 100 MIJË EURO KOMPENSIM

E publikuar: 08/07/2019 14:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me pretendimet se kishte pësuar lëndime të rënda trupore, pasi ishte grushtuar nga tani i padituri Agim Hamdia, mjeku në Qendrën Emergjente në Ferizaj, Halit Gërbeshi, po kërkon nga ai 100 mijë euro kompensim dëmi.

Një shumë të tillë të kompensimit, paditësi Gërbeshi, me anë të padisë së ushtruar, po e kërkon si pasojë e lëndimeve që pretendon se i ka marrë në vendin e tij të punës.

Lidhur me këtë rast, të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ishte paraparë të mbahej seanca përgatitore, por pasi që ka munguar i padituri, kjo seancë është shtyrë për një ditë tjetër.

I autorizuari i paditësit Gërbeshi, avokati Fitim Shabani, ka deklaruar se mbetet pranë padisë dhe kërkesëpadisë, kurse lidhur me thëniet e të paditurit në përgjigje në padi, ai ka njoftuar gjykatën se për këtë çështje ishte vendosur me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, kopjen e së cilës, ka thënë se do ta dorëzojë në seancën e radhës.

Avokati Shabani, ka kërkuar që seanca e së hënës të shtyhet për një ditë tjetër, i cili propozimin më pas është aprovuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Për këtë, ai është obliguar që deri në seancën e radhës, që është caktuar më 5 gusht, t’ia dorëzojë gjykatës vendimin e formës së prerë të zhvilluar sipas procedurës penale, e që ndërlidhet me këtë çështje kontestimore.

Ndërsa, sa i përket propozimit për nxjerrjen e provave të tjera, duke qenë se i padituri nuk e kishte pranuar ftesën për seancën e së hënës, këto propozime ka thënë se do t’i paraqes në seancën e radhës.

Kurse, lidhur me mungesën e të paditurit Hamdia, në bazë të fletëktheses, ishte bërë e ditur se ai gjendet në Itali.

Seanca e radhës është caktuar më 5 gusht 2019, në ora 11:00.

Sipas padisë, thuhet se më 15 korrik 2014, rreth orës 13:30, paditësi – mjek i ortopedisë në Qendrën Emergjente në Ferizaj, Halit Gërbeshi, ishte sulmuar fizikisht nga i padituri Agim Hamdia.

Siç thuhet në padi, ngjarja kishte ndodhur pasi që paditësi Gërbeshi nuk e kishte kontrolluar të paditurin Hamdia, dhe pas një fjalosjeje mes tyre, Hamdia e kishte goditur atë me grushte në fytyrë dhe hundë, ku nga këto goditje, i dëmtuari Gërbeshi kishte pësuar lëndime të rënda trupore. /BetimipërDrejtësi