Por, mjeku i ri, që pas pak muajsh pret të licencohet për të kryer punën e tij prej doktori, nuk ka ndonjë shpresë që shteti, ku ai është shkolluar, do t’i ofrojë një zgjidhje për punësim.
Ai paralel me studimet ka ndjekur edhe kurse të gjuhës gjermane, të cilat po i vazhdon edhe sot, pas përfundimit të studimeve.
“Zëri” shkruan se arsyet e mësimit të gjermanishtes, për të riun nga Prishtina, ndërlidhen kryekëput me punësimin e tij dhe paperspektivën në Kosovë.
“Arsyeja e mësimit të gjuhës gjermane është nevoja për punësim në Gjermani. Mungesa e vendeve të punës, e specializimeve të vonuara dhe edukimi jo cilësor profesional po i shtynë shumë doktorë të sapodiplomuar, sikurse unë, që ta lëshojmë vendin në kërkim të një tregu më të mirë të punës”, thotë Meholli.
Në një anketim të bërë nga organizata për arsim, shkencë dhe shëndetësi ‘Kiscoms’, ka rezultuar se mbi 70 për qind e studentëve të viteve të pesta dhe të gjashta të drejtimit të Mjekësisë së Përgjithshme si dhe mjekë të rinj, ose kanë pasur të regjistruar kursin e gjuhës gjermane, ose kanë qenë duke planifikuar ndjekjen e një kursi të tillë.
Sipas kësaj organizate janë disa arsye që kuadrot mjekësore po largohen nga vendi.
“Mungesa e vendeve të punës dhe specializimeve, si dhe pagat e ulëta janë arsyet kryesore të ikjes së mjekëve të rinj nga Kosova”, ka thënë Xheladin Ujkani, drejtor i kësaj organizate.
Sipas tij, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka dhënë mbi 500 specializime, në këto dy-tre vjetët e fundit, interesim për kurse të gjuhës gjermane nuk ka ndryshuar fare.
“Një arsye shtesë për këtë interesim ështe edhe gjendja e krujuar me mbi 300 specializatë, të cilët këtyre ditëve po shprehin pakënaqësinë e tyre në lidhje me mospagesën për dhjetë muaj. MSH-ja duhet urgjentisht të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme e të pranueshme për këtë kategori”, ka thënë Ujkani.