Mitrovica nuk duhet me u bë eksperiment e as kurban i Albin Kurtit

E publikuar: 08/11/2025 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Shenoll Muharremi

Albini nuk e shkollon e as e rrit vajzën e vet në Mitrovicë. Mirë që ajo po rritet e shkollohet jashtë Kosovës, sepse atje arsimi dhe shëndetësia janë shumë më cilësore.

E Mitrovica, me historinë e saj të veçantë, ka nevojë për qetësi, stabilitet, maturi dhe fokus tek temat dhe zhvillimi lokal. Nuk duhet Mitrovica me u bë as vegël, as eksperiment i askujt. Sidomos jo për me shërby si mjet për me mirëmbajtë pushtetin politik dhe nacionalizmin negativ.

Albin Kurti ka dështuar me veprimet e tij në veri, ku janë në pyetje komunat. Si rezultat i instalimit të kryetarëve shqiptarë që ishin pa legjitimitet, por legalë, në një komunitet me shumicë serbe, ai i ka sjellë vetëm dëme Kosovës.

Për shkak të veprimeve të Albin Kurtit dhe LVV-së me komunat veriore, Kosova ka “fituar” masa dhe sanksione nga BE, është stopuar integrimi në BE… e mbi të gjitha, SHBA ka suspenduar Dialogun Strategjik me Kosovën. Dëmet për ekonominë dhe qytetarët janë të barabarta me qindra milinonë euro.
Pra, dëmet ekonomike, politike dhe diplomatike që Kurti i ka sjellë Kosovës me veprimet e tij në veri rreth komunave atje janë të jashtëzakonshme. Kur partnerët si SHBA dhe BE ja kthejnë shpinën Kosovës, kjo bëhet rrezik për sigurinë kombëtare.

Ka bërë edhe gjëra të mira, si kur i ka ndjekur bandat kriminale atje. Por ajo është bërë përmes Ministrisë së Brendshme, jo përmes komunave. Ka dallim të madh. Veprimet në komuna sollën izolim, masa dhe stopim të procesit të integrimit në BE, ndërsa veprimet e rendit dhe ligjit ndihmuan në largimin e bandave kriminale.

Mitrovica e Jugut nuk ka shumë lidhje me komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Edhe atje, qasja duhet të jetë e atillë që veprimet të jenë të qëndrueshme dhe të bëhen bashkë me komunitetin që jeton atje.
Rrjedhimisht, gjithë ai arsenal i përdorur nga Kurti gjatë fushatës zgjedhore lokale në Mitrovicë është jo vetëm dhunë elektorale, por edhe abuzim me pushtet. Janë përdorë të gjitha resurset, ministritë dhe deputetët e LVV-së, e për më tepër është ushtruar presion dhe intimidim publik.

Që prej kohës së regjimit të Serbisë, në Mitrovicë nuk ka pasur aq shumë xhipa të zinj e bodygarda sa sot. Të gjithë kemi parë pushtetarët që shkojnë e vijnë nga Prishtina me marrë atje diçka, e jo me dhënë për këtë qytet.

Balotazhi në Mitrovicë nuk është një garë e barabartë, por krejtësisht asimetrike. Një person, një individ, një burrë i ri në moshë, po përballë krejt arsenalit të shtetit e pushtetit që shkon në gjysmë të natës si bandit, me tentu me tjetërsu votën.

Nuk ka pikë dyshimi që LVV dhe Albin Kurti kanë ushtru ndikim dhe presion tek qytetarët e Mitrovicës, sidomos gjatë fushatës së balotazhit. Kjo nuk është as normale, as e shëndoshë në demokraci.
Kjo nuk po bëhet për të mirën e Mitrovicës, as për qytetarët e saj, por për pushtet. Për me mirëmbajtë një tregim të nacionalizmit që tashmë ka dështuar, sepse nuk ka qenë i qëndrueshëm.

Kosovës i kanë mbetur masat, sanksionet, i janë ngrirë qindra milionë euro, është stopuar procesi i integrimit në BE dhe është suspenduar Dialogu Strategjik me SHBA-në. Por komunat në veri, Albin Kurti i ka humbur. Do të thotë, me nacionalizëm, dhunë, presion dhe imponim, ai po dështon.

Ka shumë gjasë që LVV të mos jetë në qeverinë e ardhshme. Jo që nuk ka vota se i kishte gati 400 mijë më 9 shkurt. Kjo sepse po dështon me bashkëpunu dhe me gjetë partnerë që i besojnë. Po kërkon pushtet absolut dhe kontrollë që mund të na shpie në autokraci dhe dikaturë se demokracia është e bazaur në bashkëpunim dhe pluralizëm si vlerë e shtuar.

Hendeku dhe besimi mes LVV dhe partive tjera po rritet, e të njejtën kohë LVV vetëm po tkurret nga një kulm i lartë 50.2% në 2021. Nëse LVV nuk ka arritë me formu qeveri me 400 mijë vota e 42.3%, nuk ka me arritë as me 35% apo më pak në zgjedhjet e ardhshme.
Mitrovica nuk duhet të shndërrohet në vatër të nacionalizmit dhe krizave. Nëse LVV e humb pushtetin në qeveri, mund të tentohet me shkaktu probleme etnike e kriza në Mitrovicë për me mbajtë gjallë tregimin e tyre politik.

Mitrovicasit duhet të votojnë për projekte praktike, për zhvillim, për stabilitet e normalitet. Dhuna potenciale që LVV mund të sjellë atje jo vetëm që e dëmton qytetin, por mund të shkaktojë kriza dhe destabilizim në gjithë Kosovën.

Qytetarët e Mitrovicës, përkundër presionit e ndikimit, duhet të vendosin me qetësi e maturi për një të ardhme të qetë, pa drama, me fokus tek jeta e fëmijëve e përmirësimi i kushteve për ta.
E Kurti nuk po i rrit fëmijët e vet në Mitrovicë. Ky vend për të është vetëm një eksperiment dhe vegël për me mirëmbajtë tregimin e tij politik.

Mitrovica as nuk i ka borxh, as nuk duhet të bëhet kurban i LVV-së e i Kurtit. Mitrovica duhet me pa interesin e vet dhe të Kosovës që është biznesi, bashkëpunimi, stabiliteti dhe prosperiteti.