Rajoni i Mitrovicës si për materialin arkeologjik prehistorik, ashtu edhe për atë antik ka qenë dhe ende është sferë interesi e studiuesve të këtyre dy periudhave.
Në njërën anë, artefaktet prehistorike të punuara në qeramikë, të cilat madje hasen edhe në publikimet e njohura botërore dhe, në anën tjetër, ekzemplarët cilësorë dhe të rrallë të antikitetit punuar në plumb, duke zgjuar kërshëri te arkeologët e kësaj fushe, për t’u bërë objekt studimi i detajuar në ditët e sotme, shkruan Exhlale Dobruna-Salihu, në numrin e sotëm të Kohës Ditore.
Vëmendja botërore për trashëgiminë e Kosovës
Nga ky material kemi veçuar ato me reprezentative. Kështu, nga artefaktet prehistorike një vend me rëndësi e zënë figurinat (idolet) skulpturore të njohura të neolitit punuar në argjilë të pjekur (terracota), për të cilat kishte mjaft njohuri studiuesja e njohur e mitologjisë dhe autorja e shumë monografive të këtij profili, profesoresha e Arkeologjisë së Evropës, Maria Gimbutas, nga Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos, duke zënë vend në veprën: “The Goddesses und Gods of Old Europe 7000-3500: Myths, Legends and Cult Images”, University of California Press 1974 (“Hyjneshat dhe hyjnitë në Evropën e lashtë, në mes viteve 7000-3500: Mitet dhe imazhet e kultit“), të ribotuar më 1982 dhe më 2007.
Këtu, pra, në mesin e idoleve të Evropës Juglindore gjenden ato të dy vendbanimeve të periudhës neolititike të kulturës së Vinçës: atij të neolitit të vonë në fshatin Vallaq afër Mitrovicës (figura 1, 2), i cili ka të bëjë me një vendbanim të fortifikuar artificialisht, që në kulturën vinçiane paraqet një dukuri të jashtëzakonshme, duke zgjuar mjaft interesim te studiuesit që merren me këtë periudhë prehistorike, dhe vendbanimit të madh në periferi të Mitrovicës i njohur në literaturë si “Fafos“ me praninë e dy fazave kronologjike: të mesme – I dhe të vonë – II. Në këtë të fundit një vend të veçantë e zënë figurinat e Hyjneshës së shtatzënisë, dhe të amësisë (fig. 3), me të cilat fillimisht është marrë T. P. Vukanoviq (“Cult of the Goddess of Gravidity in the neolithic society“, Vranjski glasnik 8, Vranje 1972, 35-48, Pl. I-III), duke theksuar se këto figurina sipas elegancës dhe diversitetit ikonografik i tejkalojnë të gjitha trajtat e krijuara në trevat e tjera te kompleksit balkano-anadollik dhe adriatiko-mesdhetar.