Kombëtarja e Shqipërisë pësoi humbje edhe në miqësoren e dytë të këtij muaji.
Të përzgjedhurit e Sylvinhos sonte u mposhtën nga Suedia në Stokholm.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Friends Arena” përfundoi me rezultatin minimal 1:0.
Mario Mitaj pas ndeshjes vlerësoi se rezultati nuk ishte i drejtë, teksa foli edhe për raportimet se Juventusi ka shfaqur interesim për transferimin e tij.
“Ishte një ndeshje shumë e mirë për ne, pavarësisht rezultatit, që besoj se nuk është i drejtë. Mund të kishim marrë edhe më shumë, por duhet të jemi të lumtur për paraqitjen që bëmë si skuadër. Unë bëj në fushë atë që më kërkon trajneri. Nëse ai më thotë që të qëndroj më shumë mbrapa dhe të fokusohem në aspektin mbrojtës, atë duhet të bëj”, tha fillimisht për “Supersport” mbrojtësi i krahut të majtë.
Rreth interesimit nga Juventusi, Mitaj deklaroi: “Unë kam ditur vetëm që do të kishte disa skautë nga Juventusi dhe asgjë tjetër. Unë duhet të luaj futboll, të argëtohem dhe përmirësohem. Të tjerat janë aspekte që nuk lidhen me fushën dhe nuk kam çfarë të shtoj”.