”Miss Anglia”: Po e lë kurorën e bukurisë për të punuar si doktoreshë në ndihmë të të prekurve me koronavirus

E publikuar: 07/04/2020 11:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një mbretëreshë bukurie e cila u kurorëzua “Miss Anglia” në vitin 2019 është rikthyer në Mbretërinë e Bashkuar për të vazhduar karrierën e saj si mjeke mes pandemisë së coronavirusit.

Bhasha Mukherjee bëri një pushim në karrierë si mjeke pasi mori pjesë në “Miss World” në dhjetor të vitit 2019, ndërsa e përfaqësoi Anglinë.

E ftuar të jetë ambasadore për disa bamirësi, Mukherjee kishte planifikuar të vë stetoskopin e saj dhe të përqëndrohet në punën humanitare deri në gusht të këtij viti.

“Më ftuan në Afrikë, në Turqi, pastaj në Indi, Pakistan dhe disa vende të tjera të Azisë për të qenë një ambasadore për punë të ndryshme bamirësie”, ka thënë ajo për CNN.

Në fillim të marsit, 24-vjeçarja kishte qenë në Indi për katër javë në emër të ‘Coventry Mercia Lions Club’, një organizatë bamirësie për zhvillimin dhe bashkësinë për të cilën ajo ishte ambasadore.

Ata vizituan shkollat dhe gjithashtu dhanë para për një shtëpi për vajzat e braktisura.

Por, ndërsa situata e coronavirusit u përkeqësua në Britani të Madhe, 24-vjeçarja po merrte mesazhe nga ish-kolegët, duke i thënë asaj se sa e vështirë ishte situata për ta.

Më pas, ajo kontaktoi ekipin drejtues të spitalit për t’i njoftuar se dëshironte të kthehej në punë.

Bhasha Mukherjee

Bhasha, e cila u transferua në qytetin anglez të Derby nga Kolkata në moshën 9-vjeçe, tha: “Ndjeva një ndjenjë të tillë për të qenë pjesë e këtij sektori të veçantë tani”.

“Ështe e jashtëzakonshme në mënyrën sesi e gjithë bota po festonte të gjithë punëtorët kryesorë, dhe unë dëshiroja të isha një nga ata dhe e dija se mund të ndihmoja”, vazhdon ajo.

Dhe kështu Mukherjee u kthye në Mbretërinë e Bashkuar të mërkurën, pasi punoi me Komisionin e Lartë Britanik në Kolkata për të gjetur një fluturim nga India për në Frankfurt, pastaj në Londër.

“Nuk ka kohë më të mirë për mua që të jem Miss Anglia dhe të ndihmoj Anglinë në një kohë nevoje”, shton më tutje Bhasha.

Mukherjee është duke u izoluar për një deri në dy javë derisa të mund të kthehet të punojë si mjeke në spitalin ‘Pilgrim’.

Bhasha Mukherjee

Që nga e hëna, Mbretëria e Bashkuar kishte regjistruar më shumë se 48,000 raste të coronavirusit dhe gati 5,000 vdekje, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins.