Me “misionin humanitar”, Rusia po tenton ta zyrtarizojë ndërhyrjen në Kosovë

E publikuar: 26/09/2017 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

​Marrëveshja për “Misionin Humanitar Rus”, e nënshkruar dje në Serbi, e që përmes saj pretendohet të “ndihmohen” serbët e Kosovës, ka ngritur shqetësime për rolin që mund të ketë realisht kjo Organizatë jo Qeveritare. Burim Ramadani njohës i sigurisë thotë për Express se me këtë mision, Rusia po tenton ta zyrtarizojë ndërhyrjen brenda Kosovës. I ashpër në reagimin e tij ishte të hënën edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj i cili e komentoi qëllimin e kësaj organizate të thirrur në humanizëm.

Një organizatë ruse që për qëllim thuhet se ka ndihmesën e serbëve në Kosovë, është nënshkruar të hënën nga Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq dhe Branimir Nesiq, shefi i zyrës rajonale për OJQ-Ballkan “Misioni Humanitar Rus.

Kjo organizatë që po prezantohet si humanitare, sipas këtij memorandumi, në të ardhmen do të ndihmojë serbët e Kosovës në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe asistencës sociale.

Por deri më tani, nga përvojat e mëhershme që ka pasur vendi me këto organizata dyshohet se ky mision, i veshur si humanitar, mund të përdoret edhe si mision spiunazhi. Kjo pasi i njëjti, financohet direkt nga fondet e Moskës zyrtare.

Burim Ramadani, njohës i çështjeve të Sigurisë, tha të martën për Express se përhapja e ndikimit rus ne Ballkan dhe në Kosovë kryesisht është e ndërlidhur me të ashtuquajturën Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish të Serbisë.

“Kjo Qendër, e cila pretendohet të pajiset edhe me status special territorial dhe me imunitet diplomatik, është kthyer në një strehë për agjendën ruse në tërë Ballkanin.
Ne si SPRC, javë më parë patëm publikuar raportin analizues për shqetësimin në rritje për ndikimin rus, duke analizuar po ashtu se qasja e Rusisë përmes kësaj Qendre është dëmtuese për Kosovën:, u shpreh Ramadani derisa shtoi se tash, me të ashtuquajturin mision humanitar për serbët e Kosovës, Rusia po tenton ta zyrtarizojë ndërhyrjen brenda Kosovës.

Ai kërkoi nga Institucionet e Kosovës që në vazhdimësi të monitorojnë dhe kontrollojnë çfarëdo aktiviteti të tillë, duke siguruar që asnjë aspekt ligjor dhe Kushtetues nuk do të shkelet.

“Pra, edhe në rastin e mbështetjes humanitare, ajo duhet të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Tjerat duhet të trajtohen si ilegale”, u shpreh Burim Ramadani.

Për “misionin humanitar” rus në Kosovë ka paralajmëruar edhe Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj përmes rrjeti social Twitter.

Sipas Hoxhajt kjo organizatë është vetëm një maskë që ka për qëllim ta kthejë prapa investimin qëllimmirë të Perëndimit në rajon.

Zëvendëskryeministri ka thënë se qeveria e Serbisë po tenton të ndërhyjë në Kosovë duke i maskuar strukturat paralele si shërbime humanitare të ofruara nga OJQ-të ruse.

Megjithatë, Rusia dhe Serbia kanë vepruar njësoj edhe me Qendrën Humanitare Ruse të vendosur në qytetin e Nishit. Qeveria amerikane ka akuzuar Rusinë dhe Serbinë se kjo qendër nuk kishte të bënte me aktivitete humanitare, por po vepronte si një qendër e shërbimit sekret rus, për të penguar interesat amerikane në Ballkan./GazetaExpress/