Shefi në largim i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jean-Claude Schlumberger, ka pritur sot kryesuesin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Shkëlqim Hysenaj dhe atë të Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Ničić, me qëllim të dhurimit të 50 jelekëve dhe xhaketave me mbishkrimin ‘PRESS’.
Në kohën e protestave të vazhdueshme në të cilat gazetarët ballafaqohen me situata të vështira ku në disa raste kanë pësuar edhe lëndime, asociacionet e gazetarëve kanë kërkuar që Misioni t’ju sigurojë pajisje mbrojtëse. Këta jelekë dhe xhaketa do t’ju ndihmojnë gazetarëve të raportojnë në mënyrë më të sigurt duke u dalluar nga masa.
“Gazetarët në Kosovë nuk e kanë punën e lehtë dhe shpesh sfidohen deri në atë masë që ballafaqohen me situata të rënda. Puna e gazetarëve bëhet edhe më e rrezikshme kur ata raportojnë nëpër protesta dhe demonstrata të dhunshme. Për të qenë në gjendje që raportimin ta bëjnë në mënyrë më të sigurt, ata duhet që të jenë të identifikueshëm,” tha Schlumberger.
Schlumberger i inkurajoi kryesuesit e asociacioneve të gazetarëve që të vazhdojnë ta mbështesin punën e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në të ardhmen. “Sot po ua japim jelekët dhe xhaketat me mbishkrimin “PRESS” në vend të dukshëm. Shpresoj që do të ju ndihmojnë në punën tuaj, por në të njëjtën kohë shpresoj që të mos ketë shumë situata të tilla nga të cilat do të raportoni,” shtoi Ambasadori.
Në muajt në vijim, Misioni i OSBE-së do të siguroj për asociacionet e gazetarëve një Udhëzues për sigurinë e gazetarëve gjatë raportimit në protesta, me këshilla dhe njohuri për raportim nga protestat dhe demonstratat e dhunshme. Udhëzuesi do iu ndihmoj gazetarëve që t’i shmangin lëndimet dhe/apo dëmtimin e pajisjeve gjatë kryerjes së punës së tyre.
Në mandatin e Misionit të OSBE-së në Kosovë është mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut, demokratizimi dhe zhvillimi i sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në ruajtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes dhe e mbështet zhvillimin e mediave.