Mision humanitar në QKUK, pritet të operohen fëmijë me probleme në zemër

E publikuar: 03/06/2024 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Elvir Azizi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë mirëpritur sot në QKUK ekipin e mjekëve kardiokirurgë dhe kardiologë të fëmijëve nga Turqia, në kuadër të misionit “Muntada Aid”.

Prezentë ishin edhe këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, Elizabeth Gowing, doktori Ramush Bejiqi, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci, drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë Shkëndije Nuza dhe Shpejtim Shurdhiqi,  drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë.

Ekipi i mjekëve nga Turqia do të realizojë intervenime kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjë ekzaminime kardiologjike, përcjell Klankosova.tv.

Azizi, falënderoi organizatën “Muntada Aid” dhe ambasadorin Hargreaves për mbështetjen , duke shtuar se ky mision është një mundësi e mirë që fëmijët e Kosovës të përfitojnë intervenime në zemër, pa pasur nevojë të dalin jashtë vendit.

Hargreaves, u shpreh i lumtur që ky mision humanitar po realizohet dhe që po përfitojnë fëmijët e Kosovës.

Në emër të ekipit, foli mjeku Ibrahim Cansaran, i cili po ashtu, shprehu kënaqësinë që kanë mundësinë të ndihmojnë fëmijët e Kosovës.

Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që të përfitojnë eksperiencë edhe stafi vendos i mjekëve dhe infermierëve.

Në përbërje të ekipi mjekësor ka mjek kardiologë, kardiokirurgë, anesteziologë, infermierë dhe teknik të anestezionit.

Misioni ka filluar ditën e sotme dhe do të zgjasë 10 ditë.