Mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi, e udhëhequr nga avokati Luka Mishetiq tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka premtuar fishekzjarrë dhe spektakël në këtë gjykim kundër ish-krerëve të UÇK-së, por që nuk paraqiti asgjë.
Sipas Mishetiq, ZPS nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi kishte rol në përgatitjen apo shpërndarjen e komunikatave e deklaratave politike siç pretendon vetë Prokuroria.
“Ne iu thamë juve se nuk ka prova të besueshme që Hashim Thaçi kishte një rol në përgatitjen dhe shpërndarjen e komunikatave apo deklaratave politike dhe iu thamë se ZPS nuk iu jep asnjë shpjegim racional apo logjik se pse anëtarët e NPK pretendohet të kenë transmetuar qëllimin e përbashkët kriminal përmes komunikatave, po të kishte pasur UÇK një zinxhir komandues funksional dhe iu thamë juve se konsensus i provave të dëshmitarëve ndërkombëtarë dhe brenda UÇK ishte se Hashim Thaçi nuk dyshohej se ishte përfshirë në krime lufte dhe se ai nuk dyshohej se ishte i përfshirë në ndonjë politik të pretenduar që shënjestronte të ashtuquatjtur kundërshtar. ZPS të hënën nuk kishte kundërpërgjigje apo argumente për të hedhur poshtë këto pika themelore, ata nuk kishin përgjigje/Nuk është që nuk kishin kohë të hënën”, tha ai.
Sipas avokatit të Thaçit, ZPS premtoi fishekzjarrë e spektakël, por siç deklaroi ai, Prokuroria bëri mëkat të madh të pafalshëm – pasi premtoi shumë.
“Mbrojtja e di që ju do të bëni punën tuaj dhe ju do të pranoni konsensusin dhe provat që u kemi shkruar juve. Në fakt prokuroria është ajo që nuk do që ju të bëni punën tuaj, ata duan që ju të bëni punën e tyre, ata duan që ju të gjeni prova që ata nuk arritën të gjenin….Mëkati më i madh inë një gjykim është që të premtohet më tepër sesa paraqitet dhe ZPS ka bërë këtë mëkat të madh të pafalshëm në këtë gjykim. Ata kanë premtuar fishekzjarrë, spektakël por kanë paraqitur asgjë“, tha ai.
Avokati i ish-presidentit, Hashim Thaçi para trupit gjykues në Hagë tha se Prokuroria në Hagë pati vetëm premtime boshe, të tepërta dhe pa fakte.
“Çfarë saktësisht sipas ZPS tha Hashim Thaçi se do të bënte, çfarë saktësisht sipas ZPS bëri Hashim Thaçi për të zbatuar apo vënë në jetë atë që tha, ZPS nuk pati përgjigje këto ishin premtime boshe të tepërta të cilat nuk do të ndiqeshin me fakte”, tha ai.
Në seancën e sotme pritet të thonë fjalën përfundimtare edhe katërshja e UÇK-së.


















