Me 63 vota për, asnjë kundër dhe abstenim, deputetët në Kuvendin e Kosovës kanë miratuar buxhetin për vitin 2020.
Ky miratim vjen, vetëm pakë orë kur Projektligji u votua për lexim të parë pas një seance të jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me Coronavirus në vend.
Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në paraqitjen e Projektbuxhetit ka treguar se vlera e tij për vitin 2020 do të jetë 2 miliardë e 357 milionë euro.
“Rritja e të hyrave do të jetë 131 milionë euro, kurse shpenzime do të janë 266 milionë euro me një buxhet prej 2 miliardë e 357 milionë euro. Deficiti buxhetor do të jetë 2 për qind”, tha Bislimi.
Sipas tij, rritje ekonomike për këtë vit do të jetë 4.2 për qind, kurse inflacioni 1.3 për qind.
“Rritja ekonomike reale pritet të jetë 4.2 për qind, kurse ajo nominale 5 për qind. Inflacion për vitin 2020 do të jetë 1.3 për qind, bazë e llogaritur para Coronavirusit”, shtoi ai.
Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga deputetët që ta miratojnë këtë buxhet, ku sipas tij kjo po bëhet duke e parë gjendjen e tanishme.
“Nuk do të donim të bëhej gjithçka brenda një dite, meqë nuk ka garancion që mund të mbahen seanca në ditët në vijim, sepse se dimë çfarë do të ndodh me përpahjen e Coronavirusit. Në vitin 2013, buxheti është miratuar në ditën e fundit. Duke pasur këtë rrethanë që gjendemi, unë ju ftoj që ta miratojmë këtë buxhet. Janë mbi 300 milionë euro shpenzime. Nuk është buxhet i ri ashtu siç është qeveria e re”, ka kërkuar Kurti. /Telegrafi/