Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka bërë të ditur listën e bizneseve përfituese nga industria e prodhimit dhe përpunimit të sektorëve prioritarë industrial, që kanë përfituar nga skema e thirrjes së granteve për blerjen e makinerive.
Në një konferencë për media, Hajdari ka thënë se shpallja ka qenë e hapur që nga marsi i këtij viti.
“Ne duam të ndajmë një lajm të mirë për bizneset tona aplikuese ne vend skemën e fundit për përkrahjen e makinerive e cila thirrje është shpallë me datën 27 mars të vitit 2024 dhe është pikërisht për vlerën e makinerive prodhuese dhe përpunuese për sektorin privat, në veçanti për sektorët përpunues prodhues të sektorëve industriale prioritare, sipas politikes industriale 2030 që është dedikuar për përkrahjen e industrisë prodhuese dhe ka për qëllim transformimin strukturor në një industri më të infenjuar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë dhe të afrojë kënaqësinë e denjë për të rinjtë tanë”, ka thënë Hajdari.
Hajdari ka thënë se nga marsi kur është hapur kjo thirrje, kanë aplikuar mbi 560 biznese, por nga shuma që është ndarë për këtë grant, janë dashur t’i përkrahin vetëm 167 biznese. Fillimisht, ka thënë se në plan ka qenë përkrahja e rreth 61 bizneseve.
“Fillimisht thirrja për aplikimin për grante është lansuar me 27 mars të këtij viti, në vlerë prej 1 milion e 700 mijë euro ku përmes platformës digjitale E-Kosova janë pranuar gjithsej 560 aplikacione nga bizneset e industrisë prodhuese, përpunuese të sektorëve prioritarë me orientim nga poltika industriale ,ashtu siç është përgatitur edhe skema e këtij granti. Planifikimet tona ishin që sipas vlerës prej 1.7milion euro të përfitojnë rreth 61 biznese, mirëpo me rezultatin e raportit të komisionit vlerësues prej 560 aplikacione për grante janë 167 biznese prodhuese dhe përpunuese të kualifikuara dhe që i plotësojnë kriteret ligjore, administrative dhe i përmbushin objektivat e politikes industriale”, u shpreh Hajdari.