MINT kërkon blerjen e 6 mijë e 650 tonë grurë për rezervën shtetrore, vlera 2 milionë euro

E publikuar: 05/11/2025 08:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka parashikuar 2 milionë euro për rezervën shtetrore për të blerë grurë. MINT ka kërkuar 6 mijë e 650 tonë grurë për vitin 2025 ta plotësojë rezervën shtetrore, ndërsa operatori fitues obligohet që brenda 15 ditëve ta kryej furnizimin e sasisë, raporton Infosot.

Sipas kushteve të tenderit, operatorët që synojnë ta fitojnë kontratën duhet të kenë një qarkullim vjetor prej së paku 400 mijë euro gjatë tri viteve të fundit (2022–2024), në fushën e furnizimit dhe distribuimit me drithëra apo veprimtari të ngjashme.

Sipas specifikimeve teknike, gruri që do të furnizohet duhet të përmbushë standardet ndërkombëtare të përcaktuara me metodologjitë ISO. Disa nga parametrat kryesorë të cilësisë që MINT i ka vendosur në tenderin publik janë pesha hektolitare (HTL): minimumi 75 kg/hl; lagështia: maksimumi 13.5%; gluteni i lagësht: minimumi 20%; proteinat: nga 10.5% deri në 12.5%; numri i ramjes (Falling Number): minimumi 180 sekonda; sedimenti SE-II: minimumi 40 ml; alveografi (W): minimumi 200; përbërja kimike e kokrrës duhet të përfshijë albumina (12–17%), yndyra (1.5–2%), dhe hidrate karboni (65–70%), ndërsa ngjyra, madhësia dhe forma varen nga varieteti i grurit.

Çdo operator është i obliguar të paraqesë certifikatën e cilësisë (raport testues) nga një laborator i akredituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit të Kosovës ose një organ tjetër shtetëror i ngjashëm.

Ky tender synon të sigurojë rezerva të mjaftueshme të grurit për nevojat emergjente dhe për stabilizimin e tregut ushqimor në rast të krizave eventuale të furnizimit. Dorëzimi i grurit do të bëhet në depot e MINT-it, në përputhje me standardet e ruajtjes dhe transportit të drithërave. Gjithashtu, kërkohet një garanci bankare prej 3% të vlerës së tenderit, e cila shërben si dëshmi serioziteti dhe konfiskohet në rast të tërheqjes nga gara.
Në MINT, para disa viteve ishin arrestuar drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, bashkë me Irfan Lipovicën, i cili në kohën kur ishin blerë rezervat e grurit ishte ushtrues detyre i sekretarit. Lipovica dhe Gara u lanë të mbrohen në liri, ndërsa ende nuk është ngritur aktakuza ndaj tyre.

Për këtë rast ishte intervistuar disa herë edhe ministrja e MINT-it, Rozeta Hajdari. Sipas dyshimeve, një sasi e grurit të blerë nuk kishte arritur fare në Kosovë, ndërsa vaji, sheqeri dhe disa produkte të tjera që ishin blerë nga një kompani polake nuk kishin arritur fare. Vlera e dëmit, sipas dyshimeve të Prokurorisë Speciale, llogaritet rreth 600 mijë euro.