Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka njoftuar anulimin e tërësishëm të konkursit për rekrutimin e 16 inspektorëve të tregut, pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHC).
Konkursi ishte shpallur më 24 mars 2025, me afat aplikimi nga 25 mars deri më 23 prill 2025, dhe kishte paraparë punësimin e 16 inspektorëve në Inspektoratin e Tregut. Megjithatë, pas disa muajsh procedura, procesi është prishur në tërësi dhe nuk ka përfunduar me përzgjedhjen e kandidatëve, raporton Infosot.
Në arsyetimin e bërë publik nga MINT theksohet se, “Bazuar në vendimin e KPMSHC, MINT anulon në tërësi konkursin”. Si pasojë, Ministria nuk ka arritur të rekrutojë inspektorët e nevojshëm, duke lënë të paplotësuara pozitat që pritej të shtonin kapacitetet mbikëqyrëse në treg.
Sipas shpalljes, kandidatët duhej të kishin diplomë të arsimit të lartë (niveli Bachelor) në fushat juridik, ekonomik, sociologji, shkenca politike, administratë publike dhe fusha të tjera të ngjashme shoqërore. Përveç kësaj, kërkohej së paku dy vite përvojë pune profesionale në fushën përkatëse, ndërsa procesi i përzgjedhjes ishte i ndarë në dy faza, testim me shkrim (deri në 70 pikë) dhe intervistë (deri në 30 pikë).

Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshinin diplomën, dëshmitë e punësimit, vërtetimet e trajnimeve profesionale dhe dokumente tjera që provonin përmbushjen e kushteve ligjore për shërbim civil. Pas përfundimit të fazës së vlerësimit, fituesit do të shpalleshin përmes portalit elektronik të konkursit.
Konkursi ishte menduar si hap i rëndësishëm për forcimin e mekanizmave të inspektimit të tregut, duke shtuar numrin e inspektorëve në terren dhe rritur efikasitetin në zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve tregtare. Megjithatë, procedurat e nisura në mars të këtij viti tashmë janë shfuqizuar, duke lënë Ministrinë pa arritur rezultatin e synuar.
KPMSHC, si organ i pavarur mbikëqyrës, ka kompetencë të anulojë procedurat e rekrutimit në rastet kur evidentohen shkelje të ligjit për zyrtarët publikë ose parregullsi në procesin e përzgjedhjes. Vendimi i këtij institucioni ka bërë që MINT të ndërpresë përfundimisht konkursin./Infosot/


















