Ministrja Tahiri tregon sot për fatin e kodit telefonik +383

E publikuar: 13/12/2016 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë mbetur edhe dy ditë kur Kosova do ta marrë kodin shtetëror nga Bashkimi i Telekomunikacionit Ndërkombëtar, ITU, më 15 dhjetor 2016, në pajtim me marrëveshjen në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës e Serbisë, me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Kështu, sipas kësaj marrëveshje, të gjithë operatorët ilegal që kanë vepruar pa licencim në Kosovë do të shuhen, do të largohen të gjitha kodet ekzistuese (381,377, 386) dhe do të përdoret vetëm kodi shtetëror i Kosovës 383 për thirrje ndërkombëtare. Ndërsa gjatë një periudhe tranzitore deri në implementim të kodit shtetëror të Kosovës, do të përdoret numeracion i dyfishtë, shkruan Indeksonline.

Tani mbetet të shihet nëse pasnesër Kosova zyrtarisht do të marr kodin e saj, për të cilin është diskutuar disa herë në dialogun që zhvillohet në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

E Indeksonline ka tentuar të marr një përgjigje nga zyra e ministres për Dialog, Edita Tahiri për të marr vesh nëse marrëveshja hyn në fuqi, por pa sukses.

“Sot në ora 14, ministrja Tahiri do të dal me një deklaratë për media për gjithçka në lidhje me marrëveshjen”, kanë thënë për Indeksonline nga zyra e ministres.

Disa nga përfitimet që do të ketë vendi jonë si rezultat i fillimit të implementimit të kësaj marrëveshje:

1. Republika e Kosovës krijon identitetin e vet shtetëror në fushën e telekomunikimeve, pasi që do të njihet/identifikohet ndërkombëtarisht me kodin e saj unik shtetëror +383;

2. Me implementimin e kodit të ri, ai do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës;

3. Me implementimin e kodit të ri unik, do të eliminohen pengesat e krijuara nga mungesa e tij, respektivisht përdorimi i tri kodeve të ndryshme (aktualisht +377, + 386, dhe +381), të cilat e kanë bërë të pamundshëm implementimin e disa mekanizmave të rëndësishëm për mbrojtjen e konkurrencës (si p.sh. Portabiliteti/bartshmëria i/e numrave në telefoninë mobile). Po ashtu do të eliminohen pengesat në orientimin e trafikut si në shkuarje ashtu edhe në ardhje, si dhe menaxhim më adekuat të resurseve të kufizuara numerike;

4. Republika e Kosovës është pronare e kodit telefonik 383 dhe është sovrane për qeverisjen e kodit të vet telefonik. ARKEP do të bëjë implementimin dhe administrimin e kodit telefonik të Kosovës si dhe do të koordinoj aktivitetet direkt me ITU.

5. Me këtë marrëveshje për telekomin vendoset kufiri frekuencor mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, dhe hapet rruga që Kosova ta realizoj programin shtetëror të digjitalizimit sipas standardeve të ITU

6. Përfitimet ekonomike janë të mëdha marrë parasysh kostot e larta të shkaktuara nga mungesa e kodit, pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare për përdorimin e kodeve të huaja, e që reflektohen edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore dhe më të lira ndaj qytetarëve të vendit.

7. Ndërpriten operimet ilegale (aktualisht 3 operatorë të telefonisë mobile) të operatorëve në veri të vendit;

8. Eliminohen interferencat e krijuara nga operatoret ilegal, përmes përdorimit të një pjesë të brezeve frekuencore të operatorëve të autorizuar nga ARKEP;

9. Krijohen kushtet për eliminimin e vështirësive, të cilat i kanë operatorët e licencuar/autorizuar të telefonisë mobile në shtrirjen e aktiviteteve të tyre në pjesën veriore të vendit. /Indeksonline/