Pa dakordim ka përfunduar takimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, me përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, për çështjen e grevës së nisur më 25 gusht.
Në një njoftim të MASHTI-t bëhet e ditur se ministrja ka kërkuar nga SBASHK-u që nga e hëna të nisë mësimin.
Njoftimi thekson se ministrja ka informuar edhe për masat e fundit të Qeverisë, për pakon 150 milionë euroshe, e ku përfshihen edhe mësimdhënësit. Përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë thënë se shtesa prej 50 eurosh e ndarë nga Qeveria, s’është e mjaftueshme dhe duhet të gjendet zgjidhje për realizimin e kërkesave për 100 euro dhe përfshirje në hartimin e Ligjit për Paga.
“Ministrja Nagavci tha se MAShTI është për dialog dhe që Sindikata duhet të reflektojë në arritjen e një marrëveshje duke mos përdorur masa ekstreme. Ndërkaq, ajo shtoi se diskutimet me SBAShK-un do të vazhdojnë sikur deri më tani. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit edhe njëherë bënë thirrje që, nga e hëna, të gjithë mësimdhënësit të jenë në shkolla dhe të fillojë procesi i rregullt mësimor”, thuhet në njoftim.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka hyrë në grevë nga 25 gushti. Kërkesë është që të ndahen nga 100 euro çdo muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga dhe përfshirjen në hartimin e tij.