Ministria e Tregtisë obligohet t’i paguajë mbi 117 mijë euro dëmshpërblim për shkëputje të njëanshme të kontratës një kompanie 

E publikuar: 10/07/2025 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë detyrohet nga Gjykata Komerciale e Kosovës që të paguajë një shume prej 117,269.67 euro, si kompensim dëmi ndaj kompanisë “N.P.T.SH Getoari” nga Prizreni, për shkak të shkëputjes së njëanshme dhe të pajustifikuar të një kontrate ndërtimore. Kjo shumë, e cila përfshin edhe fitimin e humbur dhe punimet e kryera në objektin e kontraktuar, do të paguhet nga buxheti i shtetit, raporton Infosot.

Vendimi është marrë nga Gjykata Komerciale, Dhoma e Shkallës së Dytë, në përbërje të gjyqtarëve Dren Rogova, Ramush Bardiqi dhe Krenar Berisha, të cilët refuzuan si të pabazuar ankesën e Avokaturës Shtetërore ndaj një aktgjykimi të mëparshëm të shkallës së parë dhe vërtetuan tërësisht vendimin që mban numrin KE.nr.2473/22 të datës 01.02.2023.

Kjo çështje gjyqësore ka nisur më 2016, ndërsa burimi i saj është kontrata e lidhur më 18 nëntor 2009 ndërmjet MTI-së dhe kompanisë “Getoari”, për ndërtimin e impiantit për pastrimin e ujërave të zeza në Zonën Industriale të Drenasit. Në bazë të vendimit, pala kontraktuese  “Getoari” kishte filluar punimet, kishte angazhuar makineri të rënda, punëtorë dhe kishte transportuar material ndërtimor në vendin e caktuar, duke investuar burime financiare dhe logjistike në përgatitjen e terrenit.

Mirëpo, sipas aktgjykimit të gjykatës, Ministria kishte dështuar të përmbushë detyrimet e saj kontraktuale, përfshirë sigurimin e vendit të punës dhe zgjidhjen e pengesave të vazhdueshme nga banorët lokalë. Pas vështirësive të paraqitura dhe mungesës së zgjidhjeve, me 27 shkurt 2013 Ministria vendosi njëanshëm të ndërpresë kontratën, duke u zotuar me shkrim se do të përmbushë obligimet ndaj kompanisë sipas punëve të kryera dhe raporteve të mbikëqyrësit të projektit. Megjithatë, kjo pagesë nuk ndodhi, çka detyroi kompaninë që të kërkojë drejtësi në gjykatë.

Vendimi i gjykatës thekson se paditësi ka dëshmuar me dokumentacion të bollshëm (raporte pune, fatura, dëshmi të ekspertëve dhe ditarë të ndërtimit) se punimet kishin nisur dhe një pjesë ishin ekzekutuar realisht. Gjykata e gjeti të bazuar kërkesën për kompensim financiar, e cila përfshin shpenzimet për përgatitjen e punishtes, transportin dhe punën e makinerisë, materialet e ndërtimit të dorëzuara në vendin e ngjarjes, si dhe fitimin e humbur të kontraktuesit. Ekspertiza e realizuar më 23.10.2017 konfirmon lartësinë e dëmit.

Gjithashtu, gjykata refuzoi në tërësi kundërpadinë e Ministrisë, e cila kishte kërkuar kthimin e pjesës së mbetur të avansit në vlerë prej 66,485.17 euro, me arsyetimin se paditësi nuk kishte realizuar tërësisht punimet. Sipas vlerësimit të trupit gjykues, pretendimi i Ministrisë ishte i pabazuar si faktikisht, ashtu edhe juridikisht, pasi shkëputja e kontratës ndodhi për faj të saj dhe jo të kontraktuesit.

Po ashtu, Ministria është obliguar të paguaj edhe 6,169 euro në emër të shpenzimeve procedurale, brenda një afati 7-ditor pas hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, përndryshe pagesa do të ekzekutohet në mënyrë të dhunshme.

Për më tepër, gjykata ka konstatuar se Ministria nuk ka ndjekur hapat e nevojshëm ligjorë për të kërkuar përmbushjen e kontratës, por ka ndërprerë njëanshëm marrëveshjen, në kundërshtim me të drejtën kontraktuale dhe dispozitat ligjore për zgjidhjen e kontratave. Në këtë kontekst, aktgjykimi mbështetet në nenin 106 dhe 114 të Ligjit mbi Marrëdhëniet Detyrimore, që parashohin qartë të drejtën e palës së dëmtuar për kompensim të dëmit në rast të ndërprerjes së njëanshme të kontratës nga pala tjetër./Infosot/

GJYKATA KOMERCIALE E KOSOVËS _ Dhoma e Shkallës së Dytë MINT