Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka pranuar një donacion prej 150 mijë eurosh nga “Novartis Pharma Services Inc.”.
“Me qëllim të ndihmesës së institucioneve të shëndetësisë në përballimin e barrës së shkaktuar nga emergjenca e shëndetit publik Covid-19, përmes llogarisë së dedikuar në Kosovë për Covid-19, Ministria e Shëndetësisë ka pranuar nga “Novartis Pharma Services Inc.” (Zyra përfaqësuese në Tiranë) donacion shumën prej 150,000.00€. Ky donacion i dedikohet vetëm blerjes së pajisjeve dhe materialeve mjekësore për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, sipas kërkesës së SHSKUK-së për nevoja të Klinikës Infektive dhe qendrave të tjera për luftimin e Covid-19”, thuhet në komunikatën e MSH’së.
Ky donacion është bërë sipas marrëveshjes së nënshkruar më 21 prill mes kësaj kompanie dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“Donacioni është bërë sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më 21 prill 2020 midis MSh-së dhe “Novartis Pharma Services Inc.”, sipas së cilës shuma e dhuruar nuk përmban asnjë detyrim për përfituesin që të përshkruaj, furnizoj, administroj, rekomando dhe/ose të blej produkte farmaceutike Novartis dhe nuk është një shpërblim për ndonjë vëllim, vlerë ose referencë në të shkuarën apo për të ardhmen e biznesit. MSh falënderon “Novartis Pharma Services Inc”për kontributin në përballimin e Covid-19 në Kosovë”, thuhet në komunikatë.