Ministria e Mjedisit urdhëron largimin e objekteve pa leje në zonën e liqenit të Batllavës

E publikuar: 28/08/2018 15:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në bashkëpunim me Inspektoratin e kësaj ministrie, kanë marrë vendim për rrënimin e objekteve pa leje në zonën e liqenit të Batllavës në rast se subjektet e ndërtimi nuk i largojnë ato në afat prej 7 ditësh.
Bëhet e ditur se ky vendim është marrë pas inspektimeve në terren nga Inspektorati i MMPH-së, të cilët kanë konstatuar se subjektet që kanë ndërtuar pa leje në zonën e liqenit të Batllavës nuk i janë përmbajtur vendimit të vitit 2017 për largimin e tyre.

“Inspektorati i MMPH-së pas Inspektimit të datës 14 gusht 2018 ka konstatuar se nuk ka pasur asnjë largim të këtyre objekteve, andaj me këtë rast janë lëshuar 48 vendime për subjektet të cilat kanë ndërtuar në mënyra të paligjshme pranë liqenit të Batllavës”, deklaroi Matoshi.

Këto vendime theksohet se janë bazuar në Ligjin për Ujërat në Kosovë, atë për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, Udhëzimin Administrativ të MMPH-15/2017, si dhe Vendimin e Qeverisë të datsë 24.04.2013, për caktimin e zonave të mbrojtura dhe masat e tyre mbrojtëse të burimit ujor sipërfaqësor – Akumulacioni i Batllavës./Infosot/