Ministria e Mbrojtjes thotë se s’ka informata për prodhimin e dronit “Skifteri K1”

E publikuar: 20/01/2026 07:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Mbrojtjes nuk i ka konfirmuar pretendimet e pronarëve të “Future Minds Acacemy” dhe të “Miga Skyshield”, për testim të dronit kamikaz “Skifteri K1”, përkatësisht aftësinë e tij që të godasë caqet në largësi deri 1000 kilometra. Një distancë e tillë nënkupton se nëse do të lansohej nga Kosova, droni do të mund të arrinte deri në gadishullin e Krimesë që ndodhet në veri të Detit të Zi. Në një përgjigje Ministria ka thënë se nuk kanë informata për testimin e dronit që shkatërron veten.

“Lidhur me dronin e quajtur ‘Skifter K1’, nuk kemi zhvilluar asnjë diskutim dhe nuk disponojmë informacione të mjaftueshme në lidhje me prodhimin, lejet për testim, procesin e testimit apo çështje të tjera përkatëse. Aktualisht, nuk mund të konfirmojmë detaje shtesë për këtë çështje. Megjithatë, institucionet përkatëse janë duke e përcjellë situatën për të gjitha aspektet e nevojshme, në përputhje me kompetencat ligjore. Njëkohësisht, inkurajojmë dhe mirëpresim çdo inovacion teknologjik në fushën e dronëve që synon zhvillimin dhe prodhimin vendor në Republikën e Kosovës, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, erën e fundit kur kanë zhvilluar vizitë në këto kompani dronët nuk kanë qenë luftarakë, por komercialë.

“Drejtuesin e kompanisë Future Minds Academy e kemi takuar në kuadër të aktivitetit Sharkathon, të mbajtur më 8 tetor 2025, i cili kishte për qëllim demonstrimin e inovacionit vendor në fushën e teknologjisë së dronëve. Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane. Në kuadër të këtij eventi janë testuar vetëm dronë komercialë, dhe jo ndonjë kategori tjetër e dronëve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

“Future Minds Acacemy” është kompani me aktivitet primar arsimin, kurse “Miga Skyshield” në pronësi të ndërtuesit Muhamet Ajrullahu e ka edhe prodhimi i makinerisë luftarake si aktivitet kryesor.

Ajrullahu në një përgjigje për KOHËN nuk ka treguar për lokacionin ku është kryer testimi e as detaje tjera të produktit.

“Për shkaqe sigurie kaq informata mund t’iu japim: Testimi është bërë prej njërit nga klientët tanë. Droni është ngritur përmes raketës (launcher). Ka qëndruar në ajër mbi 7 orë dhe e kemi goditur objektin pasi që droni ka bërë manovrime në ajër mbi 1.100km… E kuptojmë natyrën e interesimit nga shumë portale por thënë të drejtën nuk e di pse ju dhemb disave për këtë sukses të vendit tonë”, ka thënë Ajrullahu.

Një burim brenda institucioneve të sigurisë ka ngritur dyshime se droni që shihet në foto mund të jetë montuar duke u mbështetur në materiale të blera në Kinë – shtet i cili e konteston shtetin e Kosovës.

E dyshime të ngjashme ka ngritur edhe analisti politik Latif Mustafa, i cili ka theksuar se ka pak transparencë pas publikimit të videos.

“Testimin e Dronit Vetëvrasës – Skifteri, tashmë e paskan emetuar shumë media. Po këtu diçka s’është në rregull. Mungon transparenca. Edhe nëse është i vërtetë suksesi i goditjes, a nuk duhet të bëhet kjo në prezencë të FSK-së, KFOR-it, dhe institucioneve të sigurisë? Nëse, s’mund të mbash armë pa leje, si ka mundësi të kesh një armë vdekjeprurëse në masë, pa licencë të prodhimit ose leje nga ushtria? A nuk duhet të jetë shqetësim për sigurinë kjo? Nëse nuk prodhohet në Kosovë, dhe testimi bëhet jashtë, atëherë ku është ky vend?”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Edhe për prodhimin e armëve më të thjeshta legjislacioni i Kosovë kërkon pajisje me leje në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Së fundi Qeveria në detyrë ka premtuar ndërtimin e fabrikave të armatimit që nënkuptojnë edhe ndryshimet ligjore që e rregullojnë dhe mundësojnë prodhimin e armatimeve.
Në bazë të aplikacionit “Hive Moderation” videoja që është publikuar të dielën ka gjasa të jetë bërë me ndihmë të inteligjencës artificiale – e rreziku i kësaj përqindjeje sipas aplikacionit vlerësohet 99 për qind në fundin e videos kur ndodh goditja e cakut.

Në Gjilan, në nëntor të vitit të kaluar, kompanitë e angazhuara në prodhimin e dronëve i ka vizituar kryeministri në detyrë Albin Kurti. Ai pati shkruar në Facebook se “dronët luftarakë po i prodhojmë edhe vetë”.

Burimet i kanë thënë Kohës se ato që i ka prezantuar kryeministri në Facebook si dronë luftarakë ishin maketa. Të dyja kompanitë janë relativisht të reja. Në bazë të regjistrit online të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve ato janë regjistruar si ndërmarrje në vitin 2025.