Ministria e Mbrojtjes humb betejën ligjore, detyrohet të paguajë 130 mijë euro një kompanie private

E publikuar: 03/09/2025 07:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale e Kosovës, Shkalla e Dytë ka refuzuar në tërësi prapësimin e paraqitur nga Ministria e Mbrojtjes lidhur me një procedurë përmbarimore të nisur nga kompania private “BAAF” SH.P.K.. Me këtë vendim, gjykata ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor të lëshuar më herët nga Përmbaruesi Privat Rushit Hoxha, duke e obliguar Ministrinë e Mbrojtjes që t’i shlyejë kompanisë shumën prej 130 mijë e 116 euro, së bashku me kamatat ligjore dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore, raporton Infosot.

Bëhet fjalë për një kontratë furnizimi, në bazë të së cilës “BAAF” SH.P.K. kishte dorëzuar mallra për Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa për këtë kishte lëshuar faturën në vlerë prej 1 milion e 231 mijë euro. Nga kjo shumë, ministria kishte bërë pagesën prej 1 milion e 101 mijë e 458 euro, por kishte mbajtur mbi 130 mijë euro, të cilat i kishte llogaritur si penallti për vonesa në përmbushjen e obligimeve kontraktuale.

Në prapësimin e saj, Ministria e Mbrojtjes kishte argumentuar se kontrata e prokurimit, e nënshkruar në korrik 2022, parashihte që dorëzimi i pajisjeve të bëhej deri më 15 dhjetor 2022. Sipas pretendimeve të saj, kreditori nuk kishte arritur të përmbushte obligimet me kohë, ndaj ishte justifikuar ndalja e pagesës së një pjese të shumës. Ministria kishte theksuar se pagesa e kryer në korrik 2023 ishte bërë duke zbritur penalitetet për vonesat.

Nga ana tjetër, kompania “BAAF” kishte kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar se vonesat nuk kishin ndodhur për shkak të saj, por si rezultat i rrethanave nga prodhuesi, si dhe kërkesave shtesë të vetë Ministrisë së Mbrojtjes për ndryshime në furnizime. Kreditori kishte sqaruar gjithashtu se për të gjitha vonesat kishte njoftuar me kohë përfaqësuesit e ministrisë, dhe se këta të fundit kishin pranuar zgjatjet e afateve pa ndërprerë kontratën.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Komerciale ka theksuar se fatura e lëshuar më 20 qershor 2023, në vlerën e plotë të kontratës, është një dokument i besueshëm, i cili i plotëson të gjitha kushtet ligjore për përmbarim, pasi përmban palët kontraktuese, shumën e detyrimit dhe afatin e përmbushjes. Për më tepër, gjykata ka vlerësuar se kjo faturë është pranuar nga menaxheri i kontratës në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, pa u kundërshtuar.

Duke u mbështetur në dispozitat e Ligjit për Procedurën Përmbarimore, gjykata ka konstatuar se pretendimet e ministrisë për penallti nuk mund të trajtohen në këtë procedurë, pasi ajo bazohet vetëm në elementet formale të dokumentit përmbarimor. Për këtë arsye, gjykata ka vendosur që prapësimi i ministrisë të refuzohet si i pabazuar dhe urdhri përmbarimor i datës 07 gusht 2023 të mbetet në fuqi.

Me këtë vendim, Ministria e Mbrojtjes obligohet të paguajë menjëherë shumën e mbetur prej 130 mijë e 116 euro, që i shtohet barrës së buxhetit shtetëror. Gjykata ka lënë të hapur mundësinë që palët, nëse pretendojnë shkelje të tjera kontraktuale, t’i adresojnë ato në një procedurë të rregullt civile, por jo në këtë rast përmbarimor. Ky vendim i Gjykatës Komerciale, i marrë nga gjyqtari Arnis Dumani, mund të ankimohet nga palët brenda afatit ligjor prej shtatë ditësh në Dhomat e Shkallës së Dytë të kësaj gjykate.

Shkalla e Dyte Gj.K Ministria e Mbrojtjes (2)