Ministria e Infrastrukturës shkeli rregullat kur lejoi aterrimin e aeroplanit që mori gylenistët

E publikuar: 30/03/2018 19:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga kryeqyteti turk, Ankaraja, aeroplani i kompanisë ajrore, Birlesik Insaat ishte nisur në drejtim të kryeqytetin kosovar dhe në orën 7 e 15 të mëngjesit kishte ateruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari.

Ai kishte arritur 30 minuta më herët sesa ishte paraparë në agjendën e fluturimeve të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, për ditën e 29 marsit, raporton KTV.

Misioni i tij i vetëm mendohet se ka qenë marrja e 6 shtetasve turq të arrestuar nga Polica e Kosovës dhe AKI-ja, në një aksion që sipas kryeministrit, Haradinaj nuk ka zgjatur më shumë se 2 orë.

Kthimi i tij prapa ishte paraparë të bëhet ne orën 10, por në fakt largimi i tij nga hapësira ajrore e Kosovës kishte ndodhur vetëm në orën 17 e 30 minuta.

Ministria e Infrastrukturës nuk ka dhënë shumë detaje për fluturim misterioz që mendohet se me vete mori 6 turqit e arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në një përgjigje elektronike, këshilltari i ministrit Pal Lekaj, Argjend Zenaj ka treguar se aeroplani i Birlesik Insaat kishte aplikuar për leje fluturimi jo te rregullt/charter 48 orë para fluturimit.

“Kompania ajrore Birlesik Insaat ka aplikuar për leje fluturimi jo të rregullt/charter më dt 27.03.2018, MI-ja i ka lëshuar leje fluturimi me dt 28.03.2018. Aeroplani ka ateruar në ANP Adem Jashari më dt. 29.03.2018 në orën 07:15 min, me kthim në orën 10:00, por është kërkuar shtyrje e kthimit për në orën 17:30 min. Dhe kjo është e tëra çfarë mund të themi ne si Ministri e infrastrukturës”, ka thënë Zenaj.

Në insistimin e KTV-së, për ta ditur se cila ka qenë arsyeja e aterimit në Kosovë të kësaj kompanie, pasi sipas rregullores për aprovimin fluturimeve charter dhe Taxi Jo-HPEA, kompanitë duhet të shpjegojnë arsyet e aterrimit, Zejna është përgjigjur shkurt, duke thënë se është çështje biznesi.

Ndryshe, kjo leje e lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës është në kundërshtim me këtë rregullore.

Kjo, pasi aty përcaktohet se kompania duhet të aplikojë për leje operimi 78 orë para nisjes së fluturimit, e jo 48 orë siç ka ndodhur në rastin konkret.

Fluturim i Charter i Birlesik Insaat, nuk është regjistruar fare se ka kaluar në hapsirën ajrore të Kosovës.

Sidoqoftë, nuk është hera e parë që Shteti i Turqisë ka kërkuar nga Kosova ekstradimin e pjesëtarëve të organizatë “Feto” që udhëhiqet nga Fetullah Guleni.

Në dhjetorin e kaluar Turqia kishte bërë kërkesën për ekstradim të shtetasit të saj Ugur Toksoy, por autoritetet e Kosovës kishin zhvilluar të gjitha procedurat ligjore.

Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi atë, pasi shteti i Turqisë nuk kishte ofruar prova për të mbështetur kërkesën për ekstradimin e tij, përkundër insistimit të Prokurorisë Speciale.

Tentim grusht-shteti i korrikut 2016 në Turqi, përveç që la mbi 200 viktima, ka rezultuar edhe me arrestimin e 55 mijë e 665 turqve, si të dyshuar lidhur me të./koha.net/