Pas skandalit të zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, i cili kushtëzoi një femër me doracakun e jurispodencës, ministria që udhëhiqet nga Hajredin Kuçi e ka suspenduar atë.
Indeksonline raportoi sot për këtë skandal ku një vajzë, emër i njohur për redaksinë, ishte përballur me kushtëzime nga zyrtari ligjor i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari.
Bajraktari e kishte kushtëzuar vajzën, e cila ka rrëfyer për indeksonline, duke e detyruar të dal në kafe dhe t’ia jap numrin e telefonit, nëse donte ta merrte doracakun falas.
Ky është sqarimi i Ministrisë së Drejtësisë për suspendimin e Bajraktarit:
Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik dhe mediat lidhur me shkrimin me titull “Skandali i zyrtarit të MD-së që i kushtëzon femrat” të publikuar në portalin indeksonline.net, se ndaj zyrtarit Ardian Bajraktari, MD ka marrë masa duke e suspenduar si dhe menjëherë ka iniciuar procedurën disiplinore për të hetuar rastin në fjalë. Masa disiplinore do të mbetet në fuqi deri në vendimin final të komisionit disiplinor.