Ministria e Arsimit tender të negociuar për blerjen e librave për diasporën

E publikuar: 23/10/2025 17:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria në detyrë e Albin Kurtit po vazhdon të përdorë procedura të negociuara në prokurim publik, duke përfshirë edhe tenderë të ndjeshëm që prekin arsimin dhe diasporën. Ministria e Arsimit ka nënshkruar një kontratë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, për furnizimin me tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në diasporë, në vlerë të parashikuar prej 170 mijë eurosh, raporton Infosot.

Sipas dokumentit zyrtar të publikuar më 21 tetor 2025, tenderi ka të bëjë me blerjen e teksteve për nivelet e para shkollore, përfshirë Abetaren dhe fletoren e punës për vitin shkollor 2025–2026. Kontrata është dhënë për një periudhë 12 mujore dhe është fituar nga kompania “Dukagjini” Sh.p.k., me seli në Pejë, me një vlerë përfundimtare 80,917.74 euro.

Tenderi nuk është shpallur publikisht, por është negociuar drejtpërdrejt me një operator ekonomik. Ky lloj procesi, ndonëse lejohet në rrethana të jashtëzakonshme ose kur ekziston vetëm një furnizues i mundshëm, është kritikuar shpesh nga shoqëria civile dhe organizatat për transparencë, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe rrezikut për favorizime.

Vendimi për këtë kontratë është marrë vetëm një ditë para nënshkrimit të saj, më 21 tetor 2025, ndërsa nënshkrimi është planifikuar për 22 tetor 2025, çka tregon se procedura është zhvilluar me shpejtësi të pazakontë për një tender të këtij niveli financiar. Ministria e Arsimit ka theksuar në dokument se kontrata përfshin “blerjen e teksteve për nxënësit e diasporës në nivelin e parë, të dytë dhe të tretë arsimor”, duke synuar që fëmijët shqiptarë jashtë vendit të kenë qasje në materiale të unifikuara mësimore.

Megjithatë, praktika e tenderëve të negociuara apo me një burim është bërë e zakonshme gjatë mandatit të Qeverisë Kurti. Kjo formë prokurimi është përmendur disa herë edhe në raportet e organizatave si Demokracia Plus dhe KDI, që kanë paralajmëruar se mungesa e konkurrencës në tenderë të tillë mund të krijojë terren për keqpërdorime dhe përjashtim të operatorëve të tjerë potencialë.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat e negociuara pa shpallje mund të përdoren vetëm në raste të veçanta, si urgjenca, nevoja ekskluzive për produkte të caktuara, apo kur publikimi do të ishte i panevojshëm për shkak të natyrës së kontratës.

MASHT-Njoftim per dhenje te kontrates (Dokument)