Ministri i Kulturës Kujtim Shala gjatë vizitës në Mitrovicë i shoqëruar nga kryetari Bahtiri doli edhe në veri.
Shala e Bahtiri dolën këmbë nëpër urën kryesore të lumit Ibër dhe lëvizën po këmbë në veri përgjatë lumit e afër “Tre Rrokaqiejve” për t’u kthyer nëpër urën tjetër që lidh këto objekte me pjesën jugore të qytetit.
“Ishte një vizitë e paparashikuar joprotokollare, mirëpo vizituan një pjesë tonë të Kosovës,” tha Shala kur u pyet për daljen matanë Ibrit.
Shala qëndroi në Mitrovicë për të inspektuar punimet nëpër objekte të ndryshme sportive e kulturore të këtij qyteti.
“Sa i përket fazës së parë të punimeve në stadiumin ‘Riza Lushta’ jemi të kënaqur, mirëpo ne do t’i inspektojmë edh objektet tjera si Stadiumin Olimpik ‘Adem Jashari, restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës dhe gjithashtu edhe objektet tjera,” tha Shala.
Kryetari Bahtiri e falënderoi ministrin për ndihmën në lidhje me të gjitha kërkesat që komuna ia drejton ministrisë së drejtuar nga Shala.
“E falënderoj shumë ministrin e Kulturës zotëri Shalën për shkak se çdo kërkesë e jona drejt kësaj ministrie është aprovu dhe është duke na ndihmuar shumë në infrastrukturën sportive në Mitrovicë,” tha Bahtiri.
Një pjesë e Stadiumit “Riza Lushta” qe djegur më 3 janar të këtij viti. Qeveria e Kosovës në një mbledhje të saj në shkurt dha 100 mijë euro për rirregullimin e stadiumit të dëmtuar nga flakët.
Edhe shtëpia e ish-politikanit mitrovicas Xhafer Deva u dogj në marsin e këtij viti.
Para se të dilnin në terren, Bahtiri e Shala u takuan në ambientet e Komunës së Mitrovicës.
Bahtiri këtu duke iu drejtuar Shalësëvendëskryeministris në cilësinë e zëvendëskryeministrit, iu ankua atij se projektet komunale nuk po përkrahen nga qeveria e tashme dhe e kaluara.
“Këto dy qeveri nuk bënë kurrgjë për zhvillim ekonomik,” tha Bahtiri.
Zëvendëskryeministri Shala porositi Bahtirin që komuna t’u drejtohet ministrive përkatëse për projektet e saj, pasi sipas tij “secila punë e do një procedurë të veten”.