Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka thënë se është bërë progres i madh në hetimet mbi vrasjen e vëllezërve Bytyqi, dhe se tash ka prova të reja.
Ai ka thënë se provat e reja japin indikacione se kishte më shumë persona se sa mendohej në momentet e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, dhe se këto prova janë siguruar nga bazat e të dhënave të telekomunikimeve të telefonisë mobile, transmeton Indeksonline.
“Kemi disa evidenca të reja që rrjedhin nga qendra e telefonisë mibile. Listat tregojnë se aty kishte më shumë persona në momentin që u krye vrasja. Poashtu, përmes analizimit të armëve qe ishin përdorur në vitin 1999 ne po i afrohemi identifikimit të armëve me të cilat dyshohet se është kryer vrasja”, ka thënë Stefanoviq.
Në datën 9 korrik të vitit 2015 bëhen 16 vite nga vrasja e vëllezërve Mehmet (21), Agron (23) dhe Ylli (25) Bytyqi, nga ana e pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB). Mossuksesi i institucioneve në lidhje me dënimin e këtij krimi tregon se drejtësia në Serbi është selektive, si dhe se personat përgjegjës për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi janë mbi ligjin, thuhet në një kumtesë të Fondit për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd.