Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka thënë më 4 tetor se reduktimi i numrit të ushtarëve “përgjatë vijës administrative” me Kosovën, nga 8.350 në më pak se 4.500, do të thotë “çangazhim, jo tërheqje e një pjese të njësive”.
“Ata po kthehen në garnizonet e tyre, në kazermat e tyre, në aktivitetet e tyre të rregullta.” – ka thënë Vuçeviq për Televizioni Prva.
Ai ka thënë se ushtria serbe dhe Ministria e Mbrojtjes, së bashku me inteligjencën ushtarake dhe Agjencinë e Sigurisë Ushtarake, janë duke monitoruar gjithçka që po ndodh në Kosovë.
Vuçeviq i ka mohuar akuzat se Serbia po përgatitej të bënte diçka duke “mbledhur njësi” dhe se po trajnonte grupin që ka marrë pjesë në konfliktin në Banjskë, në veri të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë, më 29 shtator, që t’i tërheqë trupat nga kufiri me Kosovën.
Më 3 tetor, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Serbia ka “filluar tërheqjen” e forcave të saj nga kufiri me Kosovën dhe se ky është “lajm i mirë”.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby ka thënë se diçka e tillë “do të ndihmojë në uljen e tensioneve, por jo në eliminimin e tyre”.
Vendosja e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën ka nisur pas sulmit të një grupi të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, më 24 shtator.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë./REL/