Ministri Reçica takoi koordinatorin e TIKA Kosova, flasin për intensifikimin e bashkëpunimit

E publikuar: 18/06/2020 17:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, sot priti në takim koordinatorin e TIKA Kosova, z. Hasan Burak Ceran, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e bashkëpunimit në mes MPMS-së dhe TIKA Kosova.

Ministri Reçica nga z. Ceran është njoftuar për projektet që është duke zhvilluar aktualisht TIKA në Kosovë, si ai i ndërtimit të qendrës për personat me autizëm dhe sindrome down, e që është një projekt shumë i nevojshëm për qytetarët e Prishtinës, por edhe të Kosovës në përgjithësi. Gjithashtu, ai theksoi se, TIKA ka bashkëpunim të mirë me komuna por edhe me nivelin qendror dhe nuk i mungon fare përkushtimi për të ndihmuar popullin e Kosovës.

Ministri Reçica shprehi falënderimin e tij për gjithë punën që ka bërë qeveria turke, veçanërisht TIKA e cila ka mbështetur Kosovën me shumë projekte të nevojshme, si në fushën e arsimit, ekonomisë por edhe atë sociale.
“Me z. Ceran u dakorduam që të rrisim bashkëpunimin në mes TIKA dhe MPMS me qëllim që të shikojmë mundësinë për realizimin e projekteve konkrete, të cilat janë në të mirë të të gjithë qytetarëve”, tha ministri i MPMS-së, Skender Recica.