Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka reaguar pas aksionit në veri, ku u konfiskuan 272 pajisje Antminer, të cilat përdoren për prodhimin e kriptovalutave, raporton Express.
Sipas Muratit, këto pajisje shpenzojnë mestarisht sa 500 shtëpi, nëse lihen të punojnë pandërprerë.
Me çmimet aktuale të importit, thotë se i bie diku 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.
“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, pas vendimit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë vendin, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri. Vetëm në fshatin Trebicë të Komunës së Leposaviqit, janë konfiksuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Për këtë aksion ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, aksioni ka përfunduar pa ndonjë incident. Duke publikuar pamje nga ky aksion, Sveçka ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari.
Ai ka bërë me dije se të tilla aksione do të vazhdojnë.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.
Se një aksion i tillë do të zhvillohej ka pasur paralajmërime.
Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë Express’it se edhe veriu i vendit do të trajtohet si e gjithë pjesa tjetër e territorit të vendit.
Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafë Kelmendi, ka paralajmëruar mes rreshtash edhe aksion.
“Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës. Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprejnë këtë aktivitet”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit./Gazeta Express