Marrëveshja për kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës do të mundësojë të bëhen disa korrigjime teknike të vijës kufitare, por nuk ka ndryshime të theksuara, ka thënë ministri i jashtëm malazez Srgjan Darmanoviq.
Presidentët e Malit të Zi dhe Kosovës, Filip Vujanoviç dhe Hashim Thaçi, nënshkruan të premten një deklaratë të përbashkët që i bënin thirrje Kuvendit të Kosovës të bënte ratifikimin e marrëveshjes për kufirin ndërshtetëror, që ishte nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015.
Darmanoviq, i pyetur për të komentuar nëse marrëveshja e re do të çojë në ndryshime kufitare, tha se deklarata politike e Thaçit dhe Vujanoviçit është një konfirmim i asaj që tashmë është në Marrëveshjen bazë, Neni 7.
“Prandaj, nuk ka ndryshime të theksuara,” u tha Darmanoviq gazetarëve, duke shtuar se pasi të dy vendet ratifikojnë një marrëveshje kufitare, Komisioni duhet të dalë në terren dhe të ekzekutojë delimitimin.
Darmanoviq tha se ekziston një mundësi që, siç tha ai, metër për metër, komsioni do të përcaktojë disa korrigjime teknike. “Ky është kufiri që ne e dinim gjithmonë”.
“Marrëveshja kufitare duhet të ratifikohet dhe kjo është një çështje e riparimeve të mundshme teknike që nuk sjellin dëme për asnjë nga palët e procesit të negociatave”, tha Darmanoviq.
Ai tha se autoritetet malazeze donin të bindnin miqtë në Kosovë se Mali i Zi ishte plotësisht i angazhuar rreth marrëveshjes.
“Ne shpresojmë që institucionet e Kosovës do të gjejnë mënyrën për të ratifikuar Marrëveshjen me një shumicë të duhur, krejt kjo në funksion të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy shteteve tona”, tha Darmanoviq./express/