Ministri Lekaj nën hetime preliminare për korrupsion

E publikuar: 13/06/2019 08:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dyshimet për keqpërdorime të tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës e kanë dërguar hetuesinë deri tek udhëheqësi i këtij dikasteri, Pal Lekaj. Prokuroria Themelore në Prishtinë, para disa muajsh, sipas burimeve të gazetës, ka hapur një rast “PPN” (rasti PPN është kur ende nuk ka aktvendim për fillimin e hetimeve) e ku është i përfshirë edhe ministri i Infrastrukturës.

Se rasti i nisur si hetim parapenal përfshin edhe Pal Lekajn e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka. Ai nuk ka dhënë shumë detaje. Ka treguar vetëm se Prokuroria që e udhëheq ai ka kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Shtetit sqarim nëse kjo lëndë është në kompetencë të kësaj prokurorie, shkruan sot Koha Ditore.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka konstatuar se kjo lëndë është në kompetencë të Prokurorisë Speciale dhe se kjo prokurori tash e tutje merret me këtë rast”, ka thënë Beka.

Në Prokurorinë Speciale nuk janë përgjigjur për këtë çështje.

Ndërsa, gazeta, nga burimet e saj është informuar se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten e javës së kaluar i është përgjigjur kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)