Ministri i Jashtëm boshnjak reagon ndaj Haradinajt: Bosnja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

E publikuar: 29/09/2017 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Igor Crnadak, ka thënë sot se ky shtet jo që nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do ta shqyrtojë.

Cnadak për agjencinë Fena ka thënë se thirrja e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, drejtuar Sarajevës që ta pranojë pavarësinë e Kosovës nuk do të ketë asnjë efekt dhe ka vlerësuar se kjo është “deklaratë e huqur”, transmeton lajmi.net.

“Në Bosnje dhe Hercegovinë nuk ka njohje të Kosovës jo për shkak të qëndrimit të boshnjakëve dhe kroatëve, por pikërisht për shkak të qëndrimit të përfaqësuesve të Republikës Serbe, dhe të atyre nga partitë që e përbëjnë qeverinë në nivel të Bosnjës dhe të atyre që janë opozitë në nivel të Bosnjës, dhe janë në qeveri në Republikës Serbe. Për këtë çështje të gjithë janë unik dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo situatë do të ndryshojë”, ka thënë Crnadak.

Thuhet se ministri i jashtëm ka theksuar se në Bosnje ekziston pajtueshmëri se duhet të tentohet të zbutet regjimi i vizave, lëvizja e njerëzve dhe mallrave, kurse veçanërisht për njerëzit që merren me aktivitete ekonomike.

Kryeministri Haradinaj e ka ftuar dje Sarajevën që ta njoh pavarësinë e Kosovës. Ai këtë e ka bërë në shënimin e Ditës së Boshnjakëve.