Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha, e ka mbajtur fjalën kryesore në panelin e dytë të Konferencës së Pestë të Ambasadorëve, që ka të bëjë me temën: „Siguria dhe mbrojtja në dhjetëvjetëshin e dytë të shtetësisë së Republikës së Kosovës” e cila po i zhvillon sot punimet dyditore në Prishtinë.
Në panelin e dytë, për sigurinë dhe mbrojtjen në dhjetëvjetëshin e dytë të shtetësisë së Republikës së Kosovës, në panel ishin edhe ministri Rrustem Berisha dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Për sfidat e brendshme dhe rajonale të sigurisë, transformimin e FSK-së dhe NATO-n; para ekspertëve të njohur ndërkombëtarë e vendorë për politikën e jashtme, anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ministrave, përfaqësuesve nga shoqëria civile, ambasadorëve të Republikës së Kosovës të akredituar në shtete të ndryshme si dhe Korit Diplomatik të Ambasadave të akredituara në vendin tonë, foli ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zoti Rrustem Berisha.
Ministri Berisha, pasi përshëndeti pjesëmarrësit në Konferencën e Pestë të Ambasadorëve, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: „Me lejoni që fjalimin tim ta filloj me një frazë të huazuar nga portali i Qeverisë të Republikës së Kosovës, që në një farë mënyre paraqet edhe definicionin për siguri dhe mbrojtje. “Krahas boshteve të tjerë kryesore të ekzistencës së një shteti, siguria e brendshme dhe e jashtme, e përfituar nëpërmjet qëndrueshmërisë, stabilitetit dhe profesionalizmit të institucioneve të specializuara, mbetet “shtylla kurrizore” e ekzistencës fizike, si dhe garantimit të kushtetutshmërisë dhe funksionimit të institucioneve demokratike për çdo vend sovran”.
Ministri Berisha, më tej, tha se edhe për Republikën e Kosovës dhe qytetaret e saj “ Siguria dhe mbrojtja” janë prioritet dhe synim kryesor. Bota po ndryshon me shpejtësi rreth nesh dhe ne duhet të merremi me sfida të reja çdo ditë. Që të mund të diskutojmë për Sigurinë dhe Mbrojtjen në dhjetëvjeçarin e ardhshëm janë një varg çështjesh, pyetjesh dhe analizave që duhet bërë për dhjetëvjeçarin e kaluar në kontest të mjedisit të sigurisë, rajonale, globale e trans-nacionale.
,,Republika e Kosovës është e rrethuar me fqinjë që tanimë janë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së, e gjithashtu edhe fqinjë tjerë të cilët në dokumentet e tyre strategjike kanë shprehur interesimin dhe gatishmërinë, si dhe aspirojnë që të anëtarësohen në këto struktura. Gjithashtu prezenca e NATO-s, (që përmes mekanizmave të saj (KFOR) është përgjegjëse për siguri në Republikën e Kosovës), BE-së dhe organizmave të tjerë jo vetëm në Republikën e Kosovës po edhe në rajon vazhdon të mbetet një faktor i ndërtimit të një paqe të qëndrueshme e të stabilitetit rajonal” përfundoi fjalën e tij, ministri Berisha në Konferencën e 5-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës.


















