Ministri i Financave thotë se pakoja e re fiskale po pritet mirë

E publikuar: 05/09/2015 10:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka thënë se pakoja e re fiskale ëhstë pritur mirë nga bizneset dhe odat ekonomike.
Ai ka përmendur se është ulur TVSH’ja për produktet esenciale, është hequr TVSH’ja për importin e të gjitha makinerive prodhuese, lëndëve të para që përdoren në prodhim dhe për teknologjinë informatike.

Me këtë rast, ai ka iu ka bërë thirrje bizneseve të raportojnë cfarëdo paqartësie që mund të kenë lidhur me pakon e re fiskale.

Lexojeni të plotë postimin në FB

Pakoja e re fiskale, që ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori, po pranohet gjerësisht nga bizneset dhe nga odat ekonomike si një reformë që do të prodhojë efekte pozitive, si për qytetarët me të ardhura mesatare dhe të ulëta ashtu edhe për promovimin e investimeve. Përgjysmimi i TVSH-së për produktet dhe shërbimet esenciale, siç specifikohen në ligjin e TVSH-së, pastaj heqja e plotë e TVSH-së për import të të gjitha makinerive prodhuese, lëndëve të para që përdoren në prodhim dhe për teknologjinë informatike, lirimet tatimore për investime të reja që do të zhvillohen së shpejti, janë vetëm disa nga ndryshimet kryesore.

Unë dëshiroj të falënderoj bizneset dhe odat ekonomike, në rend të parë Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, për rolin e tyre në zhvillimin e kësaj pakoje fiskale dhe në mbështetjen e dhënë për ta qartësuar atë për komunitetin e biznesit.

Në javët në vijim, do të jem në teren për të vizituar biznese të ndryshme, zyrat regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës dhe disa pika të Doganave të Kosovës për të parë se si po implementohet pakoja fiskale. Me këtë rast, do të identifikojmë nevojat ku duhet të intervenohet më tutje përmes udhëzimeve administrative dhe vendimeve të tjera për të lehtësuar implementimin e plotë të pakos fiskale. Unë ftoj bizneset të raportojnë çfarëdo paqartësie që mund të kenë lidhur me këtë pako.