Ministri i Diasporës po e sheh “Dokufestin” si mundësi të mirë për ta trajtuar migrimin

E publikuar: 09/08/2015 01:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Diasporës, Valon Murati, që sonte ka marrë pjesë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar “Dokufest”, e ka quajtur këtë aktivitet si mundësi të mirë për ta trajtuar migrimin. E “Dokufesti”, që sivjet mban edicionin e XIV për temë kryesore ka pikërisht migrimin.

“Migrimi dhe shqiptaret kanë një relacion të hershëm që lidhet me kontekstet e ndryshme politike dhe socio-ekonomike. Përkundër migrimit të vazhdueshëm njerëzit tanë mbetën të lidhur me përpjekjet dhe luftën për zhvillim, emancipim dhe liri që zhvillohej në atdhe”, ka thënë ministri Murati.

Po migrimi, sipas tij, vazhdon të jetë një plagë e madhe jo vetëm e jona por e njerëzimit në përgjithësi.
“Pabarazia, padrejtësitë, pushtimi, diktaturat, kërkesa për një jetë më të mirë qëndrojnë në themel të këtij fenomeni. Filmat në ‘Dokufest do të jenë një mundësi e mirë për ta trajtuar edhe përmes këndit të një angazhimi artistik dhe shoqëror këtë dukuri shoqërore”, ka thënë ai.