Ministri i Bujqësisë në Shqipëri: Fund ngërçeve tregtare me Kosovën

E publikuar: 10/09/2015 19:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kuadër të vizitës së presidentes kosovare dhe delegacionit të saj në Tiranë, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, dhe homologu i tij kosovar, Memli Krasniqi, kanë zhvilluar një takim dypalësh, i cili u ndoq nga një konferencë e përbashkët shtypi.

Të dy homologët theksuan se gjatë takimit u ra dakord për zbatimin konkret të marrëveshjeve që dy vendet kanë lidhur me tregtinë e ndërsjellë. Ministri i Bujqësisë, Panariti, tha se do t’u jepet fund ngërçeve të panevojshme që mund të kenë ndikuar në shkëmbimin tregtar mes dy vendeve.

“Ramë dakord që marrëveshjen në fushën e bujqësisë ta shoqërojmë me masa konkrete. Unifikojmë praktikat dhe standardet për disa produkte si mielli. Të mbyllen njëherë e përgjithmonë ngërçet e krijuara në mënyrë të panevojshme. Ne jemi mirënjohës që na keni dhënë status ekskluziv për produktet bujqësore të Shqipërisë. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë me produktet e Kosovës, sidomos ato të pëlqyeshme si suxhuku, flija etj. Në këtë mënyrë do të krijojmë një treg të veçantë të lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve”, tha Panariti.

Ndërsa ministri Krasniqi u shpreh se pavarësisht rritjes me 50 për qind të volumit të eksporteve të mallrave kosovare drejt Shqipërisë, vënia në praktikë e marrëveshjeve dypalëshe do të rrisë bashkëpunimin edhe më tej.

“Ne u pajtuam që marrëveshjet të mos mbeten thjesht të shkruara, por të unifikojmë standardet dhe certifikatat në funksion të lehtësimit të tregtisë mes dy vendeve. Në frymën e bashkëpunimit vëllazëror do të nxisim eksportin e produkteve drejt Shqipërisë”, tha Krasniqi / Shekulli Online /