Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka vazhduar vizitat e tij nëpër komunat, ku sot ka vizituar komunën e Klinës. Me këtë rast ministri Hyseni u prit nga kryetari i kësaj komune, Sokol Bashota dhe takoi Këshillin Komunal për Siguri në Bashkësi.
Në këtë takim u diskutua lidhur me gjendjen e sigurisë në Klinë dhe u vlerësua se në këtë komunë ka një trend të rënies të llojeve të ndryshme të krimit.
Kryetari i Komunës së Klinës,Sokol Bashota, theksoi se kryesisht gjendja e sigurisë në këtë komunë është e mirë, përveç disa incidente që tashmë janë zgjidhur. Ai po ashtu tha se në këtë komunë këtë vit nuk ka ndonjë zjarr që vlen për tu veçuar, duke pasur parasysh se në këtë sezon, viteve të shkuara Komuna e Klinës, ka qenë një prej më të goditurat nga zjarret.
Ministri Hyseni, tha se është në këtë komunë në mënyrë që drejtpërsëdrejti të komunikojmë dhe të përcjellim një mesazh për aktualitetin aktual në Kosovë, që lidhet me sigurinë si element thelbësor i ecjes më tutje të shtetit të Kosovës.
“Ka një trend të rënies së krimit në Kosovë dhe kjo më bën krenar të them se Policia e Kosovës është profesionale dhe meritat për këtë i shkojnë Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, tha ministri Hyseni.
Hyseni theksoi se ka një trend të rritjes së ekstremizmit dhe radikalizmit dhe akteve terroriste në botë, që përbën një shqetësim të madh edhe për Kosovën. Ai u kërkoi pjesëtarëve të KKSB-ve, prijësve fetar dhe të gjithë përfaqësuesve social në këtë këshill, që diskursin pozitiv ta zbresin në nivel të familjes, mëhallës që jetë një mesazh i paqes dhe tolerancës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, theksoi se Policia e Kosovës përmes drejtorive rajonale është gjithmonë e gatshme të përgjigjet në çfarëdo situate.
Ai bëri të ditur se në bazë të vlerësimeve dhe analizave që ka bërë P.K-ja, incidentet në komunën e Klinës nuk kanë qenë të karakterit etnik, por të karakterit të vjedhjeve të rënda, përkundër tendencave për ngjyrosje etnike.
Më pastaj, ministri Hyseni me bashkëpunëtor ka qëndruar për një vizitë në Komunën e Istogut, ku ka bërë homazhe tek varri i veprimtarit të ndjerë, Shaban Manaj.
Qëllimi i këtyre vizitave në rend të parë është që të bisedohet me Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi, për shqetësimet rreth radikalizmit të shoqërisë, në mënyrë që këta këshilla të ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes, që në familje lagje dhe më gjerë.