Ministri Bytyçi shkeli rregulloren gjatë emërimit të Bordit të Akreditimit

E publikuar: 20/10/2017 08:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka shkelur rregulloren mbi punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Kjo meqë, përveç anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë ai ka emëruar edhe kryetarin dhe nënkryetarin e këtij bordi, shkruan sot Koha Ditore.

Pika 2 e nenit 5 të kësaj rregulloreje precizon se “zgjedhja e kryetarit të KSHC-së bëhet me shumicën e votave nga radhët e anëtarëve të KSHC-së”. Ndërkaq pika 1 e nenit 6 të kësaj rregulloreje thekson se KSHC-ja në propozim të kryetarit nga radhët e veta zgjedh nënkryetarin e KSHC-së me vota të hapura.

“Zgjedhja e nënkryetarit të KSHC-së bëhet me shumicën e votave nga radhët e anëtarëve të KSHC-së”, thekson rregullorja.

Por, në një prononcim për gazetën, Bytyqi nuk e ka quajtur këtë vendim si shpërfillje të rregullores. Madje, ka thënë se Bordi i ri do ta shfuqizojë rregulloren për shkak se ka disa mangësi.