Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, të cilin e ka njoftuar për punët, sfidat, projektet dhe problemet që po ballafaqohet Komuna e Gjilanit gjatë qeverisjes së tij.
Pas takimit, ministri Abrashi dhe kryetari Haziri e kanë shpalosur programin për subvencionimin e pagave në Gjilan para përfaqësuesve të biznesit, ku pjesë e këtij programi është edhe UNDP dhe Zyrës së Punësimit.
Kryetari Haziri e ka falënderuar ministrin Abrashi që e ka zgjedhur Gjilanin për ta promovuar këtë program.
“E falënderoj ministrin e Punës dhe mikun tim, Arban Abrashi, i cili e ka zgjedhur Gjilanin për ta bërë promovimin e këtij programi që është ne nivel nacional. Dita e sotme shënon lansimin e programit për mundësi punësimi edhe në Komunën e Gjilanit”, u shpreh Haziri.
“Subvencionimi i pagave për gjashtë, nëntë apo 12 muaj tek punëdhënësit nga ana e Ministrisë, është ndihmë jashtëzakonisht e madhe që mund të gjeneroj mundësi punësi tek bizneset, por në të njejtën kohë edhe ndihmon kategorinë e cila përmes Qendrës së Punës në Komunën e Gjilanit mund të përfshihet në këtë proces”, tha ai.
Kryetari i Komunës ka shtuar se ka për synim që në programin KE-së “Kosova e Bukur” që Gjilani e ka fituar dhe në programin e tretë të ndërtimit të parkut të gjelbërt “Baja”, nën kujdesin e Qendrës së Punës, do të intervistohen një numër të madh të punëtorëve që do të jenë të përfshirë në këto programe.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u shpreh programi për subvencinimin e pagave nënkupton pagesën e së paku 50 për qind të pagave nga Ministria për punëtorët e rinj që bizneset mund t’i marrin në punë.
Ministri Abrashi tha se ky program i subvencionimit të pagave do të jetë nga gjashtë dhe nëntë muaj për persona me aftësi të kufizuara dhe 12 muaj për gra, ku deri në fund të vitit do të përfitojnë së paku 1500 persona.
“Gjilanin e kam zgjedh për lansim të projektit sepse ngërthen ata sektrorë të bizneseve që bazuar në hulumtimin tonë janë treguar sektorë apo industri që me të vërtetë shteti duhet të intervenoj. Industria e drurit, industria e metalit, bujqësia, përpunimi i produkteve ushqimore, teknologjia informative, përpunimi i tekstilit etj., janë sektorë që me të vërtetë kanë ekspansion dhe intervistat e hulumtimet kanë treguar që ato kompani vetëm eksportojnë, por u duhet ndihmë që ta rrisin edhe prodhimtarinë dhe efikasitetin. Projekti nënkupton përkrahje edhe të bizneseve edhe në të njejtën kohë edhe personat që futen në punë e marrin një zanat”, tha ministri Abrashi.
Më pas kryetari Haziri dhe ministri Abrashi u janë përgjigjur të gjitha interesimeve të përfaqësuesve të bizneseve në Gjilan lidhur me këtë program.