Nxënësit e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, kanë pasur rastin që të prezantojnë punën që kanë bërë gjatë fushatës për kursimin e energjisë elektrike para ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, si dhe ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Gjatë vizitës në këtë shkollë, ministret kanë përgëzuar nxënësit për këtë fushatë dhe kanë biseduar me ta për mënyrën se si mund të kursehet energjia elektrike dhe për ndikimin e tyre në këtë drejtim. Ministrja Nagavci theksoi se nxënësit e kësaj shkolle janë shumë aktivë në fushatat me rëndësi për komunitetin, ndërsa theksoi se kreativiteti i tyre në të ardhmen mund të sjellë rezultate edhe më të mëdha në inovacion.
Megjithatë, ministrja tha se aktualisht është shumë e rëndësishme që edhe nxënësit të ndikojnë në kursimin e energjisë elektrike, duke vetëdijësuar familjet dhe bashkëmoshatarët e tyre.
Pasi që përmendi pasojat e shumëfishta që ka konsumimi i pandërgjegjshëm i energjisë elektrike në buxhetin e shtetit, në buxhetin e familjes, por edhe në ndotjen e ambientit gjatë prodhimit të energjisë, ministrja Nagavci bëri thirrje që energjia elektrike të shfrytëzohet në mënyrë efikase në shkolla, në familje e kudo tjetër.
Ndërkaq, ministrja Rizvanolli foli për masat qe ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këtë drejtim dhe për rëndësinë e kursimit të energiisë. Ajo, po ashtu theksoi edhe mënyrën se si po kursehet energjia elektrike në institucionet publike të Kosovës, ndërsa tha se praktika e kësaj shkolle për vetëdijësimin dhe kursimin e energjisë, duhet të përcillet edhe nga shkollat tjera.