PDK ka mbetur pa figurën më të rëndësishme që prej themelimit të saj. Ajo më nuk e ka liderin Hashim Thaçi, i cili pas pak javësh merr postin e presidentit të vendit.
Megjithatë, partia në të cilën thonë, se kanë strukturë lidershipi të konsoliduar, kanë filluar të punojnë që në parti të sjellin personalitete që vlersohet të kenë mbështetje në elektoralt.
Lajmi.net, nga burime të afërta me Mimoza Kusari – Lilën, mëson se ajo është kontaktuar nga PDK, ku i është bërë ofertë për t’u bërë pjesë e partisë, të cilën me shumë gjasë tani do ta drejtojë Kadri Veseli.
Lajmi.net ka provuar të marrë edhe përgjigjen e kryetares Kusari – Lila, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve në telefon, e as SMS-ve.
Kusari – Lila, femra e vetme që ka arritur të bëhet kryetare komune në Kosovë, duke mposhtur një parti të konsoliduar në Gjakovë, pas dështimit të AKR-së për t’u bërë parti parlamentare, nuk e ka mohuar mundësinë e daljes nga partia e themeluar prej biznesmetit Behgjet Pacolli.
Në rastin e ofertës së PDK-së, lajmi.net mëson se ajo nuk e ka refuzuar, por është duke e shqyrtuar atë, edhe pse asaj momentalisht nuk i është ofruar ndonjë pozicion konkret në parti.
Përveç ofertës nga PDK, lajmi.net mëson se, Kusari – Lila, kohë më parë, ka pasur takime edhe me Ilir Dedën e Vetëvendosjes dhe Vjosa Osmanin e LDK-së, ku është shqyrtuar mundësia e themelimit të një subjekti të ri politik, me orientim liberal, i cili sot i mungon skenës politike në Kosovë.
Ky burim ka thënë për lajmi.net, se takim ku është diskutuar angazhimi i ardhshëm politik i saj, Kusari – Lila ka pasur edhe me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti. /lajmi.net/

















